Kreu Ekonomi Si ta shkruajmë një CV profesionale?

Si ta shkruajmë një CV profesionale?

nga Flamur Berisha

CV është term latin – curriculum vitae, që në shqip do të thotë shtegu i jetës sime apo rrjedha e jetës sime. Ky term përdoret për dokumentin ku shkruhen të dhënat personale dhe profesionale të një individi.

CV-ja është dokument shumë i rëndësishëm që përdoret kur duam të aplikojmë për ndonjë vend pune. Si i tillë, duhet të shkruhet në mënyrë sa më profesionale.

Para se të shkruhet një CV, është mirë që të hulumtohet se çka po kërkon kompania ku ju dëshironi të aplikoni për punë. Pastaj ju mund ta dini saktë se cilat kualifikime apo aftësi që ju i posedoni, i përshtaten edhe kompanisë.

Çka duhet të ketë një CV e mirë?

Cilësia e CV-së varet nga përmbajtja, drejtshkrimi, estetika dhe kronologjia. E, një CV cilësore rritë shancat për punësim

Një CV e mirë duhet të përmbajë:

  • Të dhënat personale. Këtu hyjnë emri dhe mbiemri,  data e lindjes, numri i telefonit, e-maili dhe adresa e vendbanimit.
  • Të dhënat profesionale. Këtu hyjnë përvoja e punës, edukimi, kualifikimet si dhe çdo lloj reference të cilën ju e posedoni.
  1. Shkruani të gjitha punët që keni pasur. Tek pjesa e të dhënave profesionale duhet të shënohen saktësisht të gjitha punët të cilat ju i keni bërë që nga fillimi i karrierës suaj deri në momentin kur aplikoni për një punë tjetër. Punët të cilat i përshtatën fushës në të cilën po aplikoni duhet t’i vendosni sa më lartë në CV. Ato që nuk lidhen me fushën apo pozitën e punës në të cilën aplikoni, nuk është se iu interesojnë shumë punëdhënësve tuaj potencialë.
  2. Shkruani edukimin tuaj. Edukimi luan një rol kyç kur shqyrtohet një CV. Në fillim, shkruani nivelin e shkollimit që keni kryer si: shkolla fillore, e mesme apo universiteti. Të gjitha nivelet duhet të shkruhen në mënyrë kronologjike. Pas shkollimit, cekni kurset apo trajnimet që keni kryer, gjithmonë duke i shoqëruar edhe me të dhëna tjera si emrin e kursit apo trajnimit, kohën kur e keni mbajtur trajnimin si dhe emrin e institucionit që e ka organizuar atë.
  3. Nënvizoni aftësitë apo shkathtësitë tuaja. Aftësitë është e preferueshme t’i përshtaten pozitës për të cilën po aplikoni. Varësisht nga formati i CV-së, tek aftësitë mund të cekni edhe gjuhët e huaja të cilat i flisni ani pse gjuhët mund të jenë edhe si rubrikë e veçantë.
  4. Përmendni çertifikatat që keni pranuar gjatë karrierës suaj. Cekni se çfarë lloj çertifikate keni marrë, emrin e institucionit nga i cili e keni marrë atë çertifikatë si edhe kohën kur e keni pranuar atë. Interesimet apo hobitë tuaj poashtu mund të kenë rëndësi për një kompani. Kësisoj, varësisht nga kërkesat e kompanisë, ju mund t’i shënoni interesimet apo edhe anët tuaja të forta – gjë që mund të ndikojë për mirë në punësimin tuaj.

Edhe kandidatët më të mirë mund të diskualifikohen nëse aplikojnë për një vend puneme një CV të shkruar me gabime. Prandaj, kur shkruhet një CV duhet të analizohet me detaje. KosovaJob ju sjell disa sygjerime, të cilave nëse u përmbaheni mund të shmangni diskualifikimin tuaj.

  • Mos e përdorni të njejtën CV për secilën pozitë që aplikoni.
  • Mos e shkruani CV-në duke përdorur një gjuhë jo të duhur.
  • Kushtoni rëndësi email-it personal nëpërmjet të cilit ju e kryeni aplikimin – mos e dërgoni CV-në tek punëdhënësi nga ndonjë email që mund të jetë i papërshtatshëm.
  • CV-ja mos të jetë e gjatë më shumë se dy faqe.

Në një CV mos përfshini:

  • Përvojat e punës të cilat janë të parëndësishme.
  • Arritjet të cilat mund të mos konsiderohen saktësisht arritje
  • Informacione shumë private (orientimin seksual apo bindjet fetare).

Për të krijuar një CV profesionale, kliko: https://kosovajob.com/krijo-cv

Ju gjithashtu mund të pëlqeni