Qeveria e Kosovës nuk ka mjete të mjaftueshme për të zbatuar Pakon Emergjente Fiskale, pa rishikim të buxhetit i cili tashmë është dërguar në Kuvendin e Kosovës, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami. Në Pakon Emergjente Fiskale – e cila është në vlerë prej rreth 180 milionë eurosh –ndër të tjera është paraparë që punëtorët që kanë humbur vendin e punës, pas shpalljes së masave emergjente për shkak të pandemisë së koronavirusit, të përfitojnë nga 170 euro për dy muaj (prill dhe maj). Deri më tani, është arritur të bëhët pagesa vetëm për një muaj. Nga Pakoja fiskale deri më tani janë shpenzuar 80 milionë euro. Në dispozicion Kosova i ka rreth vetëm 1.5 milion euro për të disbursuar.
Ndërkohë, Bajrami ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, që të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare për kredi, të arritura nga Qeveria e Kosovës, pasi këto marrëveshje ndihmojnë buxhetin e Kosovës. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Transfereve, totali i marrëveshjeve të cilat duhet ratifikuar në procedurë të përshpejtuar përfshinë pesë marrëveshje kredie në vlerë prej 228.1 milionë euro dhe dy marrëveshje bashkëfinancimi në vlerë prej 61 milionë euro.