𝐌𝐢𝐧𝐢𝐬𝐭𝐫𝐢𝐚 𝐞 𝐅𝐢𝐧𝐚𝐧𝐜𝐚𝐯𝐞, 𝐏𝐮𝐧𝐞̈𝐬 𝐝𝐡𝐞 𝐓𝐫𝐚𝐧𝐬𝐟𝐞𝐫𝐞𝐯𝐞 𝐝𝐡𝐞 𝐌𝐢𝐧𝐢𝐬𝐭𝐫𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐡𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐭𝐞̈𝐬𝐢𝐬𝐞̈ 𝐢𝐧𝐭𝐞𝐧𝐬𝐢𝐟𝐢𝐤𝐨𝐣𝐧𝐞̈ 𝐩𝐮𝐧𝐞̈𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐝𝐢𝐡𝐦𝐞̈ 𝐭𝐞̈ 𝐛𝐢𝐳𝐧𝐞𝐬𝐞𝐯𝐞
Prishtinë – 07 prill 2021
Në Konferencën e përbashkët për Media të mbajtur sot nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Ministria e Shëndetësisë, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati tha se masat që do të ndërmerren nga MFPT kanë për qëllim lehtësimin e dëmit ekonomik që do të pasojë nga vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës nr.01/05, për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 të datës 05.04.2021, për sektorët ekonomikë të cekur në këtë vendim, gjegjësisht sektorin e gastronomisë, qendrat tregtare dhe të tjerat.
Ai gjithashtu tha se masat do të jenë kryesisht të fokusuara në subvencionimin e pagave dhe të qirasë për bizneset e prekura nga vendimi i Qeverisë. MFPT e kupton dhe ndan shqetësimin e njëjtë me komunitetin e biznesit për ndikimin ekonomik që do të kenë masat e reja për të luftuar pandeminë COVID-19, për këtë arsye MFPT ka analizuar gjendjen financiare dhe hapësirat buxhetore të cilat mund t’i shfrytëzojë në mënyrë që masat e ndërmarra të jenë të targetuara dhe efektive.
Ministri Murati gjithashtu theksoi se ditëve në vijim do të takojmë edhe njëherë përfaqësuesit e sektorëve dhe bashkë do të dakordohemi se cilat do të jenë masat. Ideja është subvencionimi i qirave dhe pagave, por prapë ka dallime sepse jo çdo sektor është i njëjtë dhe secili ka specifikat e veta. Të dhënat i kemi dhe jemi duke bërë analizën dhe dizajnimin e pakos për kompensimin financiar qëllimi kryesor i të cilës do të jetë ruajtja e shëndetit ekonomik, të cilën do ta publikojmë ditëve në vijim përmes kanaleve zyrtare, i cili do të jetë në përputhje me këshillat dhe shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit e biznesit.
Ndërsa, Ministri Vitia theksoi se ne duhet të bëjmë çdo gjë të mundur dhe për këtë i lusim edhe njëherë të gjithë që të respektojnë masat në nivel individual të ndërprehet zinxhiri i përhapjes së infeksionit. Në anën tjetër Qeveria po punon pandërprerë të sigurojë sa më shumë vaksina sa më shpejtë dhe në këtë proces nuk është vetëm Ministria e Shëndetësisë, por gjithë kabineti qeveritar dhe Presidentja Osmani.
Ai gjithashtu theksoi se po punojmë për rritjen e kapacitetit të shërbimeve në spitale, e kuptojmë kritikën për masat sepse gjendja është e rënduar sa i përket ekonomisë. Jemi të vetëdijshëm në vështirësitë e këtyre sektorëve por qëllimi ynë është ruajtja e shëndetit të qytetarëve tanë.