Që nga hyrja në fuqi e masave të reja nga ana e Qeverisë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka shqiptuar 70 gjoba për lokalet dhe gastronominë, ndërsa gjashtë janë mbyllur si pasojë e mos respektimit të masave anti-Covid.
Lamir Thaçi, zyrtar i AUV, në një intervistë për Ekonomia Online tha që numri më i madh i gjobave në tre muajt e parë të këtij viti shkon mbi 700 gjoba për persona juridik, dhe mbi 800 gjoba për mos mbajtje të maskave, apo mos respektim të orarit të lëvizjes.
Vetëm gjatë natës së mbrëmshme në regjionin e Ferizajt janë shqiptuar 8 gjoba gjatë kohës së iftarit për mos respektim të masave nga ana e restoranteve.
“Ne në tre muajt e parë të këtij viti, kemi shqiptuar rreth 700 gjoba për persona juridik ku përfshihen operatorët ekonomik, dhe kemi shqiptuar rreth 800 gjoba për persona fizikë të cilët nuk e kanë mbajtur maskën, ose kanë shkelur orën e lëvizjes. Dhe nëse shohim statistikat prej hyrjes së masave në fuqi numri i gjobave ka tejkaluar numrin 70 vetëm për lokale dhe gastronominë të cilat nuk kanë respektuar vendimet, dhe 6 mbyllje të përkohshme deri në krijimin e kushteve. Gjatë natës së mbrëmshme, vetëm në regjionin e Ferizajt janë shqiptuar 8 gjoba për persona juridik dhe shumica e gjobave janë shqiptuar për sektorin e gastronomisë, ku gjatë kohës së iftarit nuk kanë respektuar rregullat”, tha ai.
Thaçi thekson që Prishtina mund të klasifikohet si qyteti që i janë shqiptuar më së shumti gjoba, pasi edhe ka numrin më të madh të banorëve dhe bizneseve.