Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka deklaruar se Kosova rrezikon të mbetet pa punëtorë profesionistë, kjo për faktin se sipas tij, një numër i madh i tyre kanë lënë vendin duke mos u pajtuar me pagën.
Azemi në emisionin SOT ka thënë se asnjë punëtorë nuk mund të punojë me pagën 170 deri në 200 euro.
“Faturën e kësaj po e paguan Kosova. Kjo sepse ajka e punëtorëve të Kosovës nuk është këtu dhe dotë mbesim në mungesë të shumë profesioneve, për të cilat nuk do të kemi punëtorë që ta kryejnë punën adekuate.”
Azemi thotë se si Sindikatë kanë kërkuar nga Qeveria, presidentja dhe kryeparlamentari, që të krijohet një fond ku në rast se ndonjë punëtor humb jetën në vend të punës, familja e tij të merr një pagesë.
“Ta merr së paku një simulim, rreth 3-4 mijë euro që atë ceremoni ta kryejë siç i ka hije”, ka shtuar Azemi.
Ai tutje ka thënë se në rastin kur ndonjë udhëheqës i familjes po vdes në vendin e punës, kjo e fundit po mbetet pa përkrahje dhe në gjendje të rëndë ekonomike.
“I gëzohemi kur Qeveria financon në orientime të ndryshme. Një fëmijë është vrarë nga dikush tjetër dhe është financuar me 20 mijë euro. Shumë e arsyeshme, po të kishte mundësi, unë mendoj se duhej edhe 40 mijë euro të paguhet, mirëpo, përderisa në një rast jepen 20 mijë, e të mos jepen as 2 mijë euro për dikë që ka vdekur në vendin e punës, për mua këto gjëra janë të paarsyeshme”, ka thënë tutje.