Kreu Financa Biznesi është i regjistruar në TVSH. Mbushjet elektronike te Vala a duhet shitur me TVSH apo pa TVSH?

Biznesi është i regjistruar në TVSH. Mbushjet elektronike te Vala a duhet shitur me TVSH apo pa TVSH?

nga Flamur Berisha

Sipas  nën-paragrafit 5.2 paragrafit 5  të nenit 15 të Udhëzimit Administrativ Nr. 03/2015, furnizimet e mbushjeve elektronike duhet të jenë pa TVSH, citojmë:

“5.2.Kartat me parapagim ose mbushja/rimbushja me kohë bisede/abonime televizive

Operatorët kryesorë të telekomunikacionit dhe operatorët kryesorë të transmetimeve televizive tokësore dhe satelitorë, llogarisin dhe paguajnë TVSH për vlerën e plotë të kartave të parapaguara, ose të kodeve tarifore/paketave tarifore të telekomunikacionit/abonime transmetimi televizive me parapagesë, që ata u furnizojnë distributorëve të tyre.

Furnizimi i këtyre kartave, ose kohës bisedore nëpërmjet kodeve tarifore ose paketave, ose abonimeve të transmetimit televiziv, nga distributorët nuk është objekt i aplikimit të TVSH-së, pasi TVSH është aplikuar për çmimin përfundimtar nga operatori kryesor që furnizon shërbimin e telekomunikacionit ose shërbimin e transmetimit televiziv.

Distributorët nuk kanë të drejtë të zbresin vlerën e TVSH-së së faturuar nga operatorët kryesorë për furnizimin e kryer me karta/kode tarifore/paketa tarifore telekomunikacioni /abonime televizive, për sa ata nuk kanë të drejtë të aplikojnë TVSH për furnizimet e mëtejshme të kryera në fazat pasardhëse.

Për qëllime dokumentimi të çdo transaksioni që kryejnë në fazat pasardhëse për shitjen e kartave/kodeve tarifore/paketave tarifore të telekomunikacionit/abonimeve televizive, distributorët duhet të lëshojnë faturë tatimore pa llogaritur TVSH, në të cilën çmimi i këtyre furnizimeve është i barabartë me çmimin përfundimtar (përfshirë TVSH-në) të faturuar prej operatorit kryesor në momentin e furnizimit të këtyre produkteve. Ndërkohë, distributorët e këtyre produkteve të parapaguara i faturojnë operatorit kryesor vlerën e komisionit që ata përfitojnë për shërbimin e ndërmjetësimit që kryejnë. TVSH e llogaritur në këtë rast, është e zbritshme për operatorin kryesor. Nëse distributori është person jo i tatueshëm sipas Ligjit, ai nuk llogarit TVSH për komisionin. Të gjitha transaksionet e kryera si më sipër regjistrohen nga secila palë në librin e shitjes dhe të blerjes.

Distributori faturën e blerjes e regjistron si blerje me TVSH jo të zbritshme dhe faturën e shitjes e regjistron si shitje pa TVSH. Faturën për komisionin e regjistron si shitje me TVSH. Distributori ka të drejtë të zbresë TVSH-në për furnizimet e marra për qëllime të veprimtarisë së tij të tatueshme si distributor. Qarkullimi i distributorit është qarkullimi i realizuar për të gjitha transaksionet e kryera prej distributorit (shitjet e kartave/paketave ose abonimeve dhe komisioni) dhe llogaritet në bazë të çmimit gjithsej që duhet të paguajë blerësi.”

Ju faturën e blerjes e regjistroni si blerje me TVSH jo të zbritshme, ndërsa faturën e shitjes e regjistroni si shitje pa TVSH, pra çoftë shitjet përmes Arkës Fiskale që bëhen për qytetar apo edhe faturë të rregullt tatimore që mund të lëshohet për biznes.

Varësisht nga  marrëveshja që keni ju me kompaninë për shitjen e këtyre mbushjeve , duhet të trajtohet e hyra.

Nëse ju me kontratë (marrëveshje) konsideroheni si agjent i saj  dhe shitni në emër të saj dhe për interesin e saj, pastaj si kundër shpërblim keni një provizion në shitjet totale, kjo nënkupton se ju do të tatoheni vetëm në shumën e provizionit.

Në këtë rast ju duhet t’i faturoni, për pjesën e provizionit dhe këtë shumë duhet ta regjistroni në libër të shitjes. Të hyrat nga provizioni janë të hyra të tatueshme dhe cilësohen si të hyra nga shërbimet.

Sipas nenit 43, nën paragrafi 2.1.2 i ligjit 05/L-028 për Tatimin në të Ardhurat Personale, Tatimpaguesit me të ardhura bruto vjetore nga veprimtaria afariste deri në pesëdhjetë mijë euro (50.000 €), prej të cilëve nuk kërkohet dhe që nuk zgjedhin t’i mbajnë librat dhe regjistrimet e listuara në nenin 33, paragrafin 5 të këtij ligji duhet të paguajnë, citojmë:

“ 2.1.2. nëntë për qind (9%) të të ardhurave bruto nga shërbimet, veprimtaritë profesionale, të zanatit, të argëtimit dhe të ngjashme të çdo tre (3) mujori, por jo më pak se tridhjetë e shtatë pikë pesë euro (37.5€) për tre (3) mujor;”.

Në të kundërtën nëse ju shitni në emrin dhe interesin tuaj, atëherë ju duhet ti nënshtroheni tatimit sipas rregullave si në vijim:

Nëse biznesi nuk kalon limitin prej 50,000€ qarkullim, Sipas nenit 43, nën paragrafit 2.1.1 të Ligjit Nr. 05/L-028 për Tatimin në të Ardhurat Personale, Tatimpaguesit me të ardhura bruto vjetore nga veprimtaria afariste deri në pesëdhjetë mijë euro (50.000 €), prej të cilëve nuk kërkohet dhe që nuk zgjedhin t’i mbajnë librat dhe regjistrimet e listuar në nenin 33, paragrafin 5 të këtij ligji duhet të paguajnë, citojmë:

2.1.1. tre për qind (3%) të të ardhurave bruto nga tregtia, transporti, bujqësia dhe veprimtaritë e ngjashme ekonomike të çdo tremujori, por jo më pak se tridhjetë e shtatë pikë pesë (37.5) € për tre (3) mujor.”

Nga momenti kur biznesi kalon qarkullimin prej 50,000€ ju do ta njihni të hyrën totale, kurse vlera e blerjes së kartelave do të jetë kosto (shpenzim) për ju dhe në këtë rast do të paguani tatimin në TAP në pjesën e fitimit që është rezultat në mes të çmimit të shitjes dhe kostos. Në këtë rast komplet vlera e kartelave duhet të regjistrohet në libër të blerjes dhe atë të shitjes.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni