Nënshkruhet Marrëveshja për Bashkëpunim mes Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe Administratës Tatimore të Kosovës
Sot gjatë një takimi të përbashkët mes Zëvendësues, Drejtorit të Administratës Tatimore të Kosovës Ekrem Hysenaj dhe Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë Kadastrale të Kosovës Avni Ahmeti është finalizuar Marrëveshja e Bashkëpunimit në mes të dy institucioneve.Qëllimi i kësaj marrëveshje të nënshkruar mes z.Hysenaj dhe z.Ahmeti është që të mundësohet qasja në regjistrat pronësorë të cilat administrohen nga Agjencia Kadastrale e Kosovës për nevoja të Administratës Tatimore të Kosovës. Marrëveshja në fjalë është bërë si nevojë e avancimit të bashkëpunimit mes institucioneve respektive në fushën e shkëmbimit të informacioneve.Ky avancim i mënyrës së bashkëpunimit, respektivisht formalizmi i bashkëpunimit me marrëveshje ku qartë specifikohen fushëveprimi i bashkëpunimit si dhe përgjegjësitë e palëve nënshkruese vjen si rezultat i disa avancimeve që kohëve të fundit ka zhvilluar Agjencia Kadastrale e Kosovës e që kanë rezultuar me kalimin prej mënyrës tradicionale të ofrimit të të dhënave (CD, e-mail, letër) në mënyrë të avancuar, përmes ofrimit të qasjes në të dhëna në kohë reale dhe përmes ueb shërbimeve. Në këtë takim u vlerësua akti i marrëveshjes, duke potencuar se përfitues kryesorë nga një proces i tillë pos palëve nënshkruese, do të jenë vetë qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës.