ATK, edhe me një shërbim të ri elektronik!
Administrata Tatimore e Kosovës, ju njofton se nga data 01 Shtator 2021 do të publikon versionin e ri të Sistemit Elektronik – EDI, përmes të cilit do të kërkohet plotësimi i deklaratës: “Deklaratë nga personi i cili nuk kërkohet të pajiset me Pajisje Elektronike Fiskale / Sistem Fiskal”.
Shërbimi i ri elektronik për plotësimin e kësaj deklarate është funksionalizuar në sistemin elektronik EDI, dhe është në dispozicion për tatimpaguesit të cilët nuk janë të pajisur me Pajisje Elektronike Fiskale / Sistem Fiskal, të cilët do të shfrytëzojnë sistemin EDI.
Përmes këtij shërbimi, tatimpaguesi është i obliguar për plotësimin e kësaj deklarate duke konfirmuar se si tatimpagues nuk është i obliguar që të jetë i pajisur me PEF/SP pasi që të gjitha furnizimet e tija bëhen për biznese, e jo për konsumatorin e fundit dhe sipas ligjit për të gjitha ato furnizime lëshon faturë tatimore dhe nuk obligohet të lëshojë kuponë fiskal.
Plotësimi i kësaj deklarate përmes sistemit EDI është i obliguar dhe kërkohet me qëllim që Administrata Tatimore të ketë informatat e sakta për tatimpaguesit të cilët duhet të jenë të fiskalizuar.
Inkurajojmë të gjithë tatimpaguesit që të plotësojnë saktë deklaratën e kërkuar, në të kundërtën ATK do të ndërmarrë masat e përcaktuara me Legjislacionin tatimor.
ATK mban premtimin për kujdesin e vazhdueshëm ndaj tatimpaguesve!