Platforma “superpuna” është lansuar me datën 6 shkurt 2023, por jo të gjitha bizneset në Kosovë kanë pasur mundësi të regjistrohen në të.
“Superpuna” u dedikohet personave të papunë të moshës 18 deri në 25 vjeç. Në kuadër të saj, Qeveria e Kosovës subvencionon punëdhënësin duke paguar pagën e punëtorit për gjashtë muaj, në vlerë prej 264 eurosh. Mirëpo, një detaj teknik po u pamundëson mijëra bizneseve të përfitojnë nga kjo mundësi.
Bizneset që duan të regjistrohen në këtë platformë e kanë si kusht që të kenë email në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), të përditësuar. Regjistrimi bëhet vetëm nëse emaili i biznesit në ARBK është funksional. Por, ky detaj teknik u ka pamundësuar shumë bizneseve regjistrimin në platformë. Shumë biznese me rastin e regjistrimit në ARBK nuk kanë vendosur fare email, ndërsa të tjera nuk i kanë përditësuar të dhënat e ndryshuara ndër vite.
Faqja zyrtare e platformës në facebook ka publikuar së fundi disa pyetje nga bizneset që i kanë shtruar rreth platformës. Dy pyetjet më të shpeshta lidhen me emailin zyrtar në ARBK si parakusht për regjistrim.
“Jam regjistruar si biznes, mirëpo gjatë regjistrimit nuk kam dhënë email kurse për t’u kyçur kërkohet emaili?”, pyet një biznes.
“Email-i konfirmues dërgohet automatikisht në email të cilin kompania juaj e ka në ARBK. Me verifikimin e këtij emaili ju drejtoheni te profili juaj në superpuna”, është përgjigja nga zyrtarët e Ministrisë së Financave.
Një biznes tjetër ka pyetur direkt për punën e emailit.
“Nuk kam pasur email në ARBK dhe tash nuk mund të konfirmoj regjistrimin tim, si duhet te veproj tutje?”, thotë pyetja.
Ndërsa përgjigja nga zyrtarët e ministrisë vijon: “Ekipi teknik është duke punuar që së shpejti të ofrohet zgjidhje për rastet e tilla specifike. Sapo të arrijmë në një zgjidhje, të gjitha bizneset që janë në proces të regjistrimit do të njoftohen.”
Ndryshe “Superpuna” u dedikohet personave të papunë të moshës 18 deri në 25 vjeç. Punëdhënës nga sektorë të ndryshëm kanë nisur të publikojnë aty ofertat e tyre për punë. Pozitat e ofruara përfshijnë: kamerier, asistent të shitjes, elektricist, gazetar, kontabilist, dizajnues grafik, infermier e të tjera. Pagat që i ofrojnë punëdhënësit nisin nga 264 euro – sa është subvencionimi nga Qeveria – deri mbi 1.000 euro, varësisht nga pozita e punës.
Kurse, Ministria e Financave vepron si ndërmjetësuese midis punëdhënësve dhe punëkërkuesve, por ajo nuk ka dhënë detaje nëse, deri më tash, është bërë ndonjë ndërmjetësim.
Punëkërkuesi nuk duhet të ketë qenë i punësuar në tre muajt e fundit, para regjistrimit në platformën “superpuna”, ndërsa punëmarrësi obligohet t’i përmbushë të gjitha dispozitat e Ligjit të Punës. /Buletini Ekonomik