Kreu Financa Deri ne qfar shume mund te perfitoni nga Qeveria per izolimin e shtepise?

Deri ne qfar shume mund te perfitoni nga Qeveria per izolimin e shtepise?

nga Kontabilisti

Ministria e Ekonomisë (ME) dhe Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) të martën kanë lansuar thirrjen publike për projektin “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit”.

Projekti ka për qëllim mbështetjen e konsumatorëve familjar përmes rritjes së efiçiencës së energjisë në shtëpitë individuale dhe mbështet nga Bashkimi Evropian, si pjesë e Pakos Emergjente, siguruar përmes Qeverisë së Republikës së Kosovës me Marrëveshjen Financiare IPA III.

Çfarë përfshin projekti?

Projekti përfshin subvencionimin e kostos së zbatimit të masave të përzgjedhura të efiçiencës së energjisë në shtëpi të banimit, si izolimi i jashtëm i shtëpisë, ndërrimi i dritareve, derës së hyrjes dhe izolimi i kulimit, sipas standardeve minimale dhe kritereve të përcaktuara nga FKEE.

Ky projekt ka për qëllim mbështetjen e konsumatorëve familjar përmes rritjes së efiçiencës së energjisë në shtëpitë individuale dhe kap vlerën 10 milionë Euro.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se përmes këtyre masave, qytetarët do të mund të përfitojnë nga subvencionimi për termoizolim të mureve të jashtme dhe kulmeve dhe ndërrim të dritareve dhe dyerve të jashtme.

E në konferencën e mbajtur me rastin e lansimit të kësaj thirrje, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se mbeten të përkushtuar që çështjen e efiçiencës ta trajtojnë me prioritet dhe këtë e kemi dëshmuar jo vetëm me vendosjen e trageteve ambicioze në Strategjinë e Energjisë, por edhe me veprime konkrete që po i ndërmarrim për dy vite.

Rizvanolli theksoi se me lansimin e këtyre masave qytetarëve do t’iu sigurohet një ambient më i ngrohtë në dimër, e më i freskët në verë dhe ky investim do të ndikojë direkt edhe në faturën e energjisë elektrike për familjet, por edhe për nevojën për subvencionim rast të krizave më të cilat jemi përballur vitet e kaluara.

“Të gjithë qytetarët do të kenë mundësi të përfitojnë subvencion prej 45% të vlerës së investimit, për t’i rinovuar shtëpitë e tyre, për t’i bërë ato më efiçiente. Qytetarët mund aplikojnë për renovim të shtëpisë që përfshinë izolimin e shtëpisë, ndërrimin e dyerve, dritareve dhe izolimin e kulmit”, pohoi Rizvanolli.

Deri në çfarë shumë do të jetë subvencionimi

Subvencionimi përkatësisht rimbursimi i kostos së zbatimit të masave është i kufizuar në masën deri në 45%, apo shumën maksimale deri në 5,500 Euro si kufi maksimal i mundshëm për një shtëpi – përfitues individual, e destinuar vetëm për banim privat/familjar.

Kurse, deri në 50% arrin shuma e financimit, kur prona është në bashkëpronësi të bashkëshortëve, ose nëse gruaja është pronare e shtëpisë.

“Për t’ua lehtësuar investimet në shtëpitë tuaja me qëllim që të keni dimra më të ngrohtë e vera më të freskëta, falë përkushtimit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, mbështetjes së Bashkimit Evropian dhe angazhimit të Fondit të Kosovës për Eficiencë të Energjisë kemi hapur thirrjen për masat e reja për rritjen e efiçiencës energjetike në shtëpitë private. Përmes këtyre masave të reja, do të mund të përfitoni nga subvencionimi për termoizolim të mureve të jashtme dhe kulmeve dhe ndërrim të dritareve dhe dyerve të jashtme. Subvencioni do të mbulojë 45% të vlerës së investimit, deri në 5,500 euro”, ishte shprehur kryeministri Kurti.

Si bëhet aplikimi?

Aplikimi do të bëhet përmes platformës eKosova (ekosova.rks-gov.net) dhe ka filluar më 08 gusht 2023.

Aplikimi bëhet online përmes vjegëzës në vijimekosova.rks-gov.net/466

Detajet në lidhje me thirrjen mund t’i gjeni këtuwww.fkee-rks.net 

Ndryshe, në javën tjetër, Ministria e Ekonomisë do të shpallë thirrjet për subvencionim të efçiencës të energjisë, ku do të përfshihen për herë të parë pajisjet efiçiente shtëpiake, sistemet solare termike për ngrohje të ujit, kurse deri në fund të muajit do të lansohen thirrjet për pajisjet e ngrohjes.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni