Kreu Ekonomi Edhe 182 milionë euro do tu shperndahen bizneseve

Edhe 182 milionë euro do tu shperndahen bizneseve

nga Flamur Berisha

Mbi 182 milionë euro ka paraparë Qeveria e Kosovës në Projektbuxhetin për vitin 2021, në Programin për rimëkëmbje ekonomike, që ka për qëllim përkrahjen e bizneseve që kanë pësuar humbje nga pandemia e shkaktuar nga koronavirusi, tha zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi.

Nga vlera e përgjithshme prej 182 milionë eurove, pjesa më e madhe, sipas Krasniqit, është dedikuar për kategorinë subvencione dhe transfere, që përbën 54 për qind ose 114 milionë euro dhe për shëndetësi 30 milionë euro. Shuma të tjera do të ndahen për komuna, investime kapitale dhe të tjera.

Por, përfaqësuesit e subjekteve ekonomike në Kosovë, Agim Shahini dhe Berat Rukiqi, theksojnë se shuma e mjeteve është e pamjaftueshme, por megjithatë kërkojnë që shpërndarja të realizohet në rastin më të shpejtë, pas miratimit të Projektbuxhetit.

Qeveria e Kosovës, më 30 tetor ka miratuar Projektbuxhetin për vitin 2021, në vlerë prej 2.4 miliardë eurosh, i cili do të ketë në fokus sektorin e shëndetësisë dhe rimëkëmbjen ekonomike.

Në bazë të procedurave ligjore, afati përfundimtar kur duhet të miratohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës është fundi i dhjetorit (31 dhjetor). Projektbuxheti për vitin 2021 gjendet për shqyrtim në Komisionin për Buxhet dhe Transfere në Kuvendit të Kosovës.

Nëse Projektbuxheti miratohet gjatë kësaj periudhe, Krasniqi thotë se shpërndarja e mjeteve do të ndodhë në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm.

Cilat biznese duhet të përfitojnë?

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se vlera e humbjeve ekonomike te bizneset është më e madhe sesa mbështetja e qeverisë. Megjithatë, Shahini thotë se prioritet për ndihmë financiare duhet të kenë bizneset që nuk kanë pasur qarkullim gjatë periudhës së karantinës.

“Në të ardhmen duhet të klasifikohen bizneset, ato që kanë punuar gjatë gjithë kohës, për shembull marketet e mëdha, barnatoret, furrtarët, ata nuk kanë pasur nevojë për mbështetje, përkundrazi kanë pasur rritje të vëllimit të punës, pasi qytetarët janë furnizuar më shumë me produktet e tyre. Por, duhet të përkrahen kompanitë që gjatë pandemisë nuk kanë pasur aktivitet për shkak të kufizimeve të lëvizjes”, tha Shahini.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ndërkaq vlerëson se të gjitha bizneset kanë pësuar humbje për shkak të pandemisë.

“Kur të ndahen këto mjete, duhet pasur parasysh se të gjitha bizneset janë dëmtuar nga pandemia dhe të gjitha kompanitë edhe duhet të përfitojnë, qoftë ndonjë shumë për punëtorë, qiranë, etj”, tha Rukiqi për Radion Evropa e Lirë.

Ndërsa për sektorët që kanë qenë të mbyllura gjatë kohës kur kanë qenë në fuqi masat për kufizim të lëvizjes se lirë, (mars-prill), Rukiqi shprehet se Qeveria e Kosovës duhet të mendojë për masa të veçanta.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni