Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami dhe ambasadori Jörn Rohde kanë nënshkruar shkëmbimin e protokollit të bashkëpunimit zhvillimor ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.
Bajrami me këtë rast ka thënë se fal kësaj marrëveshje Gjermania e jep Kosovës 72.1 milionë euro, prej të cilave 34 milionë euro janë grante.
“Sapo nënshkruam marrëveshjen kornizë të bashkëpunimit ekonomik e cila kap një ndihmë prej 72.1 milionë euro për periudhën 2020-2021. Prej këtyre mjeteve, 34 milionë euro janë grante që janë për institucione dhe projekte të ndryshme, të cilat më të vërtet do ta përmirësojnë kualitetin e qytetarëve në mënyrë substanciale”, tha Bajrami, përcjell Telegrafi.
Ajo tha se që nga paslufta, taksapaguesit gjerman për Kosovën kanë dhënë 730 milionë euro.
“Falënderojmë të gjithë taksapaguesit gjerman për kontributin që japin për Kosovën. Ndihmat e dhëna kapin shifrën e 730 milionë eurove që nga pas lufta, shumë institucione kanë ngritur kapacitet falë ndihmës nga Gjermania”, tha ajo.
Kurse ambasadori Rohde u shpreh se Gjermania do të vazhdojë të jetë krahë Kosovës në çdo projekt.
“Gjermania është donatori më i madh bilateral dhe investitori i huaj më i madh në Kosovë. Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj të reformave që e bëjnë atë të përshtatshme për një të ardhme në Bashkimin Evropian. Do të vazhdojmë të investojmë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në Kosovë, ku fokusohemi në mbështetjen e arsimit profesional dhe zhvillimit të bizneseve. Gjermania po ashtu do të vazhdojë me investime domethënëse në infrastrukturën publike në Kosovë, duke u fokusuar në energji, kanalizim, dhe trajtimin e mbeturinave”, tha Rohde. /Telegrafi/