Kreu Ekonomi Kështu do te ndahet buxheti i Kosoves per vitin 2023.

Kështu do te ndahet buxheti i Kosoves per vitin 2023.

nga Kontabilisti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë prezantimit të Projektbuxhetin për vitin 2023 ka thënë se ky do të jetë buxheti më i lartë i prezantuar deri më tani.

Kurti gjatë seancës plenare që po mbahet për këtë Projektligj, ka thënë se për vitin e ardhshëm janë paraparë shtim të pozitave të reja të punës në inspektorate.

“Buxheti për vitin 2023 do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro, kurse të hyrat buxhetore do ta arrijnë vlerën e 2 miliardë e 884 milionë euro. kemi ndarë 745 milionë euro në kategorinë e pagave dhe mëditjeve, 493 milionë euro në mallra dhe shërbime, 1.93 miliard euro në subvencione dhe transfere dhe 811 milionë euro në shpenzime kapitale”, tha Kurti.

Ai ka shtuar se për vitin 2023 janë shtuar 248 pozita të reja për çerdhet.

“Kemi shtuar 240 pozita të reja për inspektoratet dhe kjo nënkupton që të mbrohen të drejtat e punëtorëve. Kemi ndarë 290 milionë euro në sektorin e shëndetësisë, prej tyre 90 milionë euro janë për barna esenciale. Kemi shtuar 248 pozita të reja për çerdhet”, shtoi ai.

Sa i përket bujqësisë dhe sigurisë, Kurti tha se janë rritur ndjeshëm buxhetet e këtyre sektorëve.

“Buxheti i sivjetmë për bujqit është 87 milionë euro. Kemi shtuar 300 pozita të reja për policinë dhe kemi rritur buxhetin për blerjen e armatimit për ushtrinë tonë. 123 milionë euro parashihet të jetë buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes”, theksoi Kurti.

Sipas tij, është buxhetuar ndërtimi i disa rrugëve në vend.

“Ketë vit po e përmbushim premtimin që t’i përfshijmë të gjithë fëmijët nën moshën 16 vjeçare në skemën për fëmijët, ku kemi ndarë 60 milionë euro. Janë buxhetuar rrugët, duke përfshirë rrugën Prishtinë-Pejë dhe ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë”, tha ai.

Në fund, Kurti tregoi se me ndihmën e Bashkimit Evropian janë ndarë 75 milionë euro për ta përballuar krizën energjetike.

“Për Rezervën Shtetërore i kemi ndarë edhe 15 milionë euro shtesë për vitin 2023, pas ndarjes së 10 milionë euro që janë ndarë sivjet. Me mbështetjen e Bashkimit Evropian do t’i kemi edhe 75 milionë euro të tjera për ta përballuar krizën energjetike”, përfundoi ai. /Telegrafi/

Ju gjithashtu mund të pëlqeni