Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka prezantuar Projektligjin për çmimin e produkteve medicinale.
Ky projektligj mori mbështetjen e plotë të kabinetit qeveritar.
Gjatë prezantimit të tij, ministri Vitia tha se kjo është një politikë e re në mbrojtjen e qytetarëve tanë.
“Kjo nismë rregullon çmimet e produkteve medicinale për qarkulluesit e licencuar farmaceutikë me shumicë dhe pakicë, përfaqësuesit e mbajtësve të autorizimit për marketing dhe institucionet publike. Projektligji ka për qëllim që kostoja e barnave në tregun farmaceutik të jetë e përballueshme, të jetë e krahasueshme me vendet e rajonit, madje edhe më lirë, dhe vendet e tjera referente dhe çmimi i një bari do të jetë njësoj në çdo barnatore”, tha Vitia.
Vitia shtoi se duke përcaktuar nivelizimin e çmimit të barnave dhe përcaktimin e çmimeve maksimale për blerje nga institucionet publike krijohet për herë të parë sistemi rregullativ në Kosovë.
“Miratimi i këtij Projektligji konsiderohet me ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetësinë publike, duke ofruar qasje më të përballueshme të popullatës në barna të nevojshme. Ky sistem rregullativ është parakusht për themelimin e sistemit të rimbursimit të barnave”, tha Vitia. /telegrafi