“Mbledhja e 132-të e Qeverisë, në një javë historike e ditë të shënuar
Në 25 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, miratuam kushtet për shpalljen e procedurës së prokurimit për Projektin e Kompleksit Memorial Adem Jashari në Prekaz. Për përfaqësim të drejtë e të duhur të historisë heroike e kontributit të pashoq të Familjes Jashari për çlirim.
Në Ditën Ndërkombëtare të Grave, ritheksuam përkushtimin tonë për barazi shoqërore, për barazi gjinore.
Miratuam vazhdimin e procesit të aplikimit për njohje të statusit të të mbijetuarave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.
Me Projektligjin për Çmimin e Produkteve Medicinale do të kemi barna të nevojshme me kosto të përballueshme për qytetarët dhe institucionet e Republikës.
Miratuam Planin Kombëtar për Zhvillim 2030, që të rrisim mirëqenien e të kemi zhvillim të qëndrueshëm.
Aprovuam rekomandimin për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Mundësuam fillimin e punimeve për rrugën me rëndësi të madhe për rrafshin e Dukagjinit, me shpronësimin e pronave që preken nga zgjerimi i Rrugës Nacionale N9 Kijevë-Zahaq, për segmentin Kijevë-Dollc.
Për zhvillim ekonomik të vendit, miratuam vendimin përfundimtar për shpronësim për ndërtimin e ‘’Zonës Ekonomike Industriale’’ në Livadicë, Podujevë.
Ndamë 1.5 milion euro, për subvencionimin e të gjithë punëdhënësve në sektorin privat të cilët kanë rritur pagat e punëtorëve të tyre.”