Mes kritikave të opozitës është miratuar marrëveshja ndërkombëtare për reformë në skemat sociale në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.
Gjatë raportimit të ministrit të Financave, Hekuran Murati, nënkryetari i këtij Komisioni, Mërgim Lushtaku ka kërkuar reflektim nga qeveria për të tejkaluar siç tha ai këtë ngërç edhe në seancë plenare.
“Ne do të abstenojmë për këtë marrëveshje. Kam pritur reflektim për këtë, pasi që është hera e tretë që po shqyrtohet pa asnjë ndryshim”, theksoi ai.
Edhe dy deputetët nga pozita, Visar Korenica dhe Eman Rrahmani kanë kërkuar reflektim nga Ministria e Financave, veçanërisht për 15 milionë eurot të kësaj kredie.
Para votimit, deputeti Korenica tha se pa opozitën nuk kalon kjo marrëveshje në kuvend, prandaj për këtë ai kërkoi të gjindet një formulë për ridestinimin e 15 milonë eurove të kësaj shume që rrjedhin nga kredia 47 milionë.
“Ne duhet me gjetë mbështetjen e opozitës. Kot flasim nga tri katër orë nëse nuk e kemi mbështetjen e opozitës”, tha ai.
Ministri Murati u pajtua me propozimin e bashkëpartiakëve të tij, por deputeti Avdullah Hoti tha se është i vonshëm ridizajnimi i kësaj marrëveshje, pasi që është e nënshkruar tashmë.
“Ua ka lënë në dorë këtë marrëveshje Banka Botërore. Ishte dashur atëherë me kërku ridizajnim. Tash është vonë”, tha ai.
Ndërsa, shqyrtimi i Raportit Vjetor Financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021 është shtyrë për javën tjetër.
Po ashtu edhe Raporti Vjetor për Fondin e Kursimeve Pensionale për vitin 2021 është shtyrë sërish për javën e ardhshme.
Ndërsa, me shumicë votash Komisioni miratoi Raportin Vjetor Financiar të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2021.