Projektligji i Pagave në Sektorin Publik nuk u miratua në Kuvend gjatë muajit mars, ashtu siç ishte premtuar nga Qeveria Kurti. Në programin legjislativ ishte paraparë që ky Projektligj të trajtohet me 30 mars 2022. Por, nuk ndodhi ashtu.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të radhës në rend të ditës do ta ketë shqyrtimin e këtij Projektligji dhe atë për Zyrtarët Publik.
Ky Projektligji më 15 shtator kishte dalë në konsultim publik, ku të gjitha palët kishin pasur mundësinë që të japin mendimet e tyre deri më 6 tetor, shkruan Telegrafi.
Në dokumentin e publikuar, Zyra e Kryeministrit ka treguar arsyetimin se pse është dal në publik ky Projektligj.
“Situata aktuale sa u përket pagave që realizohen nga buxheti i shtetit ka krijuar një situatë komplekse për shtetin e Kosovës. Kjo situatë është si rezultat i një numri relativisht të lartë të akteve të veçanta ligjore dhe nënligjore, apo edhe vendimeve me të cilat rregullohen dhe përcaktohen niveli i pagave dhe kompensimeve”, thuhet në arsyetimin e konsultimit, shkruan Telegrafi.
“Sistemi aktual i pagave në sektorin publik është i fragmentuar dhe në këtë mënyrë vlerësohet se është edhe i paefektshëm, sepse nuk është i ndërtuar mbi parime Projektligji për Pagat ka për qëllim kryesor përcaktimin dhe rregullimin e sistemit të pagave dhe shpërblimeve për të gjithë të punësuarit që përfitojnë pagë nga buxheti i Kosovës. Nga kjo kategori e cila mbulohet me këtë projektligj përjashtohet vetëm Agjencia Kosovare e Inteligjencës, për arsye se ka natyrë tejet specifike të punës”, vijon Zyra e Kryeministrit.
Kjo zyre ka nxjerr edhe koeficientët e propozuar për të gjithë punëtorët shtetërorë, ku sipas tyre është propozuar që të jetë paga.
“Vlera monetare e koeficientit përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit. Përcaktimi i vlerës së koeficientit bëhet në pajtim me legjislacionin për menaxhimin e financave publike”, thuhet në nenin e 9 të Projektligjit që përcakton koeficientin e pagës.
Raporti i koeficienteve është një me tetëmbëdhjetë, të shpërndarë në 111 nivele të koeficienteve. Koeficienti më i lartë është 18 që e ka Presidenti i vendit, pasuar nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese me 17.5 dhe më pastaj vinë kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës me 17.
Ligji i cili ishte shpallur i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese, pritej të rregullonte pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit.
Pra, Ligji rregullonte rritjen e pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind e tyre mbetën jashtë. Por, punëtorë në sektorë të ndryshëm publikë, kishin shprehur pakënaqësitë lidhur me përcaktimet dhe përfshirjen e tyre në Ligj. /Telegrafi/