LuxDev, Agjencia për Bashkëpunim Zhvillimor e Luksemburgut hap thirrjen për propozime për bizneset në Kosovë. Dy fondet – LuxAid Challenge Fund (LCF) dhe LuxAid Demonstration Fund (LDF) synojnë të përshpejtojnë rritjen dhe ndikimin e zgjidhjeve inovative që adresojnë sfidat shoqërore në sektorin e prodhimit, si dhe në arsim, kujdes shëndetësor ose mobilitet. Projektet e përzgjedhura do të përfitojnë bashkëfinancim deri në EUR 350,000. Kompanitë ftohen të dorëzojnë aplikimet e tyre deri më 24 janar 2025.
LuxAid Challenge Fund dhe LuxAid Demonstration Fund janë iniciativa novatore nga LuxDev që synojnë zgjidhje inovative për të adresuar sfidat zhvillimore përmes modeleve biznesore. Këto fonde mbështesin bizneset në faza të ndryshme zhvillimi, duke ofruar nivele të ndryshme bashkëfinancimi
Thirrja aktuale për propozime mirëpret aplikimet nga ndërmarrje në Kosovë që zhvillojnë zgjidhje inovative për ekonomi qarkore, dixhitalizim ose specializim në sektorin e prodhimit, si dhe zgjidhje innovative të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) për lehtësim të qasjes në arsim, kujdes shëndetësor ose shërbime të mobilitetit. Bashkëfinancimi mund të variojë nga 50,000 EUR deri në 350,000 EUR, varësisht nga maturiteti i zgjidhjes dhe fondi i përzgjedhur.
Adresimi i sfidave kryesore shoqërore
LuxDev është i përkushtuar të adresojë sfidat kryesore shoqërore në Kosovë. Qëllimi përfundimtar i thirrjes për propozime është të nxisë një sektor prodhimi më konkurrues që sjell rritje të qëndrueshme dhe prosperitet në Kosovë. Prandaj, mirëpriten inovacione për qasje të ekonomisë qarkore në sektorin e prodhimit, duke përmirësuar menaxhimin e mbetjeve dhe burimeve, si dhe rritjen e efikasitetit. Gjithashtu, kërkohen zgjidhje dixhitale për të thjeshtuar proceset e prodhimit ose për të optimizuar menaxhimin e zinxhirit të furnizimit, duke synuar përdorimin më efikas të materialeve dhe reduktimin e mbetjeve në prodhim. Për më tepër, fondet mund të mbështesin qasje inovative për zhvillimin e aftësive përmes programeve të specializuara për sektorin e prodhimit. Po ashtu, inkurajohen zgjidhje inovative të TIK që lehtësojnë qasjen në arsim, shëndetësi dhe mobilitet, duke kontribuar në përfitime më të gjera shoqërore dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.
Mbështetje e përshtatur për faza të ndryshme zhvillimi
LuxAid Challenge Fund është i dizajnuar për startup-e që plotësojnë kriteret e mëposhtme:
-Të regjistruara në Kosovë midis 1/06/2020 dhe 1/01/2024;
-Punësojnë të paktën 2 individë;
-Kanë testuar produktin/shërbimin e tyre inovativ në treg, duke gjeneruar të ardhura fillestare (minimumi 3 muaj);
-Propozojnë një projekt biznesi 1-2 vjeçar të fokusuar në inovacionin e tyre;
-Mund të bashkëfinancojnë të paktën 30% të kostove të projektit.
Bashkëfinancimi varion nga 50,000 EUR deri në 120,000 EUR, duke synuar përshpejtimin e rritjes së inovacionit dhe arritjen e objektivave të mirëpërcaktuara të ndikimit.
LuxAid Demonstration Fund synon ndërmarrjet e konsoliduara që plotësojnë këto kritere:
-Të regjistruara në Kosovë para 1 nëntor 2019;
-Punësojnë të paktën 5 individë;
-Zhvillojnë një produkt/shërbim inovativ, tashmë të testuar në treg, me gjenerim të ardhurash (minimumi 1 vit) dhe ndikim në sfidat shoqërore;
-Propozojnë një projekt biznesi 1-2 vjeçar të ndërtuar rreth inovacionit të tyre;
-Mund të bashkëfinancojnë të paktën 50% të kostove të projektit.
Bashkëfinancimi varion nga 100,000 EUR deri në 350,000 EUR, dhe ofrohet për të mbështetur shkallëzimin e zgjidhjes së tyre inovative, duke zgjeruar shtrirjen dhe ndikimin e saj në dobi të popullsisë lokale.
Aplikimet janë të hapura deri më 24 janar, 2025.
Një webinar informues do të mbahet më 5 dhjetor në ora 10:00.
Si pjesë e kësaj thirrjeje, ndërmarrjet e interesuara janë të ftuara të dorëzojnë aplikimet e tyre përmes platformës së aplikimit (link për formularin LCF, link për formularin LDF) deri më 24 janar 2025.
Dhjetë kandidatët më të mirë për secilin fond do të përfitojnë trajnime dhe do të ftohen të prezantojnë idetë e tyre para komitetit të përzgjedhjes në mars 2025. Vendimi përfundimtar pritet deri në qershor 2025, ku do të shpërblehen 6-8 projekte të LCF dhe LDF.
Për më shumë informacion: https://www.luxaidbusiness4impact.lu/opencall-kosovo