Të mërkurën e nëntë nëntorit, Qeveria e Kosovës do të mblidhet për të diskutuar 14 pika të rendit të ditës.
Mbledhja e Qeverisë do të mbahet në orën 10:00.
Në mesin e pikave të rendit të ditës është themelimi i Komisionit Republikan të Festave.
Po ashtu, do të shqyrtohet propozim-vendimi për shitjen e automjeteve zyrtare që janë të papërdorshme dhe jashtë funksionit të ministrisë së Ekonomisë.
Një tjetër pikë e rendit të ditës është shqyrtimi i Projektligjit për Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovës, shkruan EO.
Ndërkaq pjesë e rendit të ditës do të jetë edhe shqyrtimi i propozim-vendimit për themelimin e komisionit Ekzekutiv për Digjitalizim.
Ndryshe, të mërkurën e 26 tetorit, Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e 102-të me radhë, në të cilën janë miratuar tri projektligje.
Siç njoftonte Zyra e Kryeministrit, ndër këto projektligje është projektligji për Ekspertët Gjyqësorë i cili përcakton kushtet dhe procedurat e licencimit të ekspertëve.
Po ashtu, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, i cili ka për qëllim harmonizimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe ta bëjë edhe më të zbatueshëm Ligjin për mbrojtje të konsumatorit.
Projektligji për Zhvillim Rajonal të Balancuar i cili është në përputhje me legjislacionin evropian dhe përcakton parimet themelore të menaxhimit të zhvillimit rajonal.
Po ashtu, është bërë ndryshimi dhe plotësimi i Programit Legjislativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2022.
Ndër të tjera, është themeluar Këshilli Organizativ për shënimin e 110-Vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.