Kreu Ekonomi Me datën 5 nëntor pritet të mirret ky veprim për tërheqjen e 30% të Trustit

Me datën 5 nëntor pritet të mirret ky veprim për tërheqjen e 30% të Trustit

nga Kontabilisti

Të shtunën e ardhshme, pra më 5 nëntor, përmes një marshi paqësor nga Biblioteka Kombëtare e deri te Qeveria e Kosovës do të kërkohet tërheqja e 30 për qind të kursimeve nga Fondi Pensional (Trusti).

Iniciator i peticionit të qytetarëve për Trustin, Adnan Jashari tha se meqenëse Qeveria e Kosovës po i ngadalëson proceduat për këtë nismë legjislative, atëherë po organizojnë këtë protestë.

Sipas tij, tërheqja e kursimeve pensionale është urgjente dhe e domosdoshme në këtë kohë kur qytetarët po ballafaqohen me rritje enorme të çmimeve.

“Ka kaluar afati ligjor dhe Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë mendim rreth nismës legjislative të qytetarëve për projektligjin e tërheqjes së kursimeve të Trustit deri në 30 për qind, andaj ne si grup dhe iniciativë në grup që ka rreth 28 e 700 anëtarë kemi menduar që t’i ndryshojmë format pasi që Qeveria po i ngadalëson hapat e saj drejt miratimit të projektligjit dhe kemi menduar që javën e ardhshme të mbahet një protestë e qetë, paqësore, t’i tregojmë Qeverisë dhe Kuvendit që kërkesa e qytetarëve është e sinqertë, urgjente dhe e domosdoshme në këtë kohë kur qytetarët po përballen me një krizë enorme të ngritjes së çmimeve. Të shtunën në ora 12:00, përballë Qeverisë dhe Kuvendit”, tha Jashari.

Kurse, bashkë-organizatori i kësaj proteste, Visar Dili u shpreh se protesta do të nis përmes një marshi nga Biblioteka Kombëtare në Prishtinë deri te objekti i Qeverisë së Kosovës.

Ai shtoi se qytetarët po marrin kredi për të kaluar dimrin, prandaj i bëri thirrje ekzekutivit por edhe opozitës ta mbështesin këtë iniciativë.

“Mbledhja e qytetarëve do të filloj më herët, rreth orës 10:30, mendojmë ta bëjmë një marsh nga Biblioteka Kombëtare deri tek Qeveria. Duke i kërkuar Qeverisë së Kosovës dhe deputetëve të mazhorancës dhe opozitës që të dalin njëzëri dhe t’ua mundësojnë qytetarëve që ta kalojnë dimrin pak më të lehtë. Kanë marr edhe kredi për të kaluar dimrin, mos t’i zhysim qytetarët në borxhe nga këtu pres dhe i bëj thirrje Qeverisë dhe deputetëve që të reflektojnë mbi këtë vendim dhe tua mundësojnë qytetarëve tërheqjen e atyre mjeteve pasi ato mjete tashmë janë rreth 215 milionë euro që janë të humbura nga Trusti, ajo është shuma që do ta mbulonte tërheqjen ajo shumë nuk do të shkonte kot por do të qëndronte në vend”, theksoi Dili.

Tashmë nisma legjislative e qytetarëve për tërheqjen e 30 për qind të kursimeve pensionale nga Trusti ndodhet në Kuvendin e Kosovës. /KP/

Ju gjithashtu mund të pëlqeni