Kreu Ekonomi Miratohet Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike, mesoni perfitimet per bizneset.

Miratohet Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike, mesoni perfitimet per bizneset.

nga Flamur Berisha

Kuvendi i Kosovës miratoi sot Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Miratimi i Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike erdhi pas pajtimit të Qeverisë Hoti me kërkesat e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me këtë Projektligj.

Amendamentet e propozuara janë:

Të themelohet një fond i veçantë, i cili do të shërbejë për t’i paguar të gjithë të punësuarit në sektorin privat, që kanë humbur vendet e tyre të punës si pasojë e pandemisë së coronavirusit. Pra, të gjithë punëtorët e sektorit privat të regjistruar si të pa punë, e që kanë qenë në marrëdhënie pune deri në Shtator 2020, por që nga muaji tetor 2020 janë liruar nga punëdhënësi si pasojë e ndikimit të COVID -19, do të paguhen nga ana e Qeverisë së paku tre deri në katër muaj përkatës me nga 300 euro në muaj.

Të themelohet granti në shumë prej 200 milionë euro, për ndihmë direkte financiare bizneseve të cilat kanë vështirësi të funksionimit si rezultat i ndikimit të COVID-19. Këto mjete të grantit do t’i shpërndahen të gjitha bizneseve sipas kritereve dhe kushteve të caktuara nga ana e një Komisionit të posaçëm i cili do të themelohet ekskluzivisht për këtë çështje nga ana e Qeverisë së Kosovës, të cilat dëshmojnë se e kanë të vështirë zhvillimin e afarizmit si pasojë e ndikimit të COVID -19.

Të gjithë qytetarët që kanë kontribuar në Trustin Pensional të Kosovës deri në shumën 10 mijë euro, në rast të tërheqjes së shumës 10 % (dhjetë për qind) nga ana e tyre, Qeveria e Kosovës do ta kompensoj tek TRUST-i Brenda pesë viteve të ardhshme në mënyrë që ata qytetarë t’i kenë mjetet e tyre për moshën e pleqërisë.

Qeveria e Kosovës duhet të liroj nga TVSH-ja lëndën e parë e cila prodhohet nga bizneset kosovare, pavarësisht a eksportohet jashtë vendit apo jo.

Projektligji përfshinë edhe tërheqjen e 10-përqindëshit nga vetë qytetarët nga Trusti.

Lidhur me këtë, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës me anë të një njoftimi për media pati sqaruar  se kur qytetarët mund të aplikojnë për t’i tërhequr kursimet e tyre nga ky institucion.

“Pas miratimit në leximi të dytë ligji duhet të dekretohet nga Presidenti. Në momentin që dekretohet ligji nga Presidenti, detajet për aplikim do të bëhen të ditura në mjete të informimit”, thuhej në njoftimin e Trustit, përcjell Telegrafi.

Ligji tash dërgohet tek ushtruesja e detyrës së presidentes për shpallje. Ndërkaq, ka afat tetë ditë për ta shpallur ose për ta kthyer atë për rishqyrtim në Kuvend.

Në dispozitat e këtij Projektligji është plotësimi dhe ndryshimi e disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Ky do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij Ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.

Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.

Ndryshe, Projektligji në lexim të parë është miratuar pas gjashtë tentativave, ndërsa në lexim të dytë, në tentativën e tretë. /Telegrafi/

Ju gjithashtu mund të pëlqeni