Shumë sektorë të ndërtimit, të gastronomisë, të sigurimit fizik dhe të tjerë kanë mbetur pa punëtorë. Mungesa e tyre ka nisur të theksohet dukshëm në muajt e fundit, ka vlerësuar Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të Sektorit Privat. Ndonëse janë radhitur një sërë shkaqesh, arsyet kryesore konsiderohen pagat e ulëta në vend dhe mundësitë që disa shtete të Evropës po u japin kryesisht të rinjve për punë jashtë Kosovës. Se ka interesim të madh të qytetarëve për punë jashtë shtetit, konfirmohet edhe nga shifrat e ambasadave për aplikim për viza pune.
Kjo mungesë e punëtorëve sipas kryetarit të Sindikatës, Jusuf Azemi, po vjen kryesisht nga mundësitë për të punuar jashtë shtetit dhe nga mungesa e kushteve të punës, që nga paga, moszbatimi i Ligjit të Punës, moslidhja e kontratave e pasiguria në punë.
“Në veçanti paga joserioze ka bërë që punëtorët të mos kenë një stabilitet në Kosovë dhe i vetmi orientim është që këtë fazë tranzitore ta kalojnë me këtë shumën çfarë u jepet por qëllimi kryesor është dalja jashtë”, ka thënë Azemi.
Ai ka përmendur disa sektorë që aktualisht janë në disavantazh me numër të punëtorëve, porse thotë që me mungesa të tilla po përballen edhe fusha të tjera të punës. Sipas asaj që i është raportuar në Sindikatë, Azemi ka deklaruar se në mungesë të punëtorëve, kompanitë po detyrohen të punësojnë persona të pakualifikuar.
“Mungesë të punëtorëve ka në secilin lëmë të caktuar duke u nisur nga gastronomia, nga ndërtimtaria dhe punëtorët e sigurimeve fizike. Vetë fakti kur një pjesë bukur e madhe e punëtorëve që punojnë në sigurim fizik e nuk kanë profesionalizëm dhe pronarët e kompanive janë të obliguar t’i marrin, e bën me dije që është haptazi që ne kemi mungesë të theksuar të fuqisë punëtore”, ka deklaruar ai.
Me mungesë të punëtorëve tash e një kohë po përballet edhe sektori i ndërtimit. Kryetari i Shoqatës së ndërtuesve, Faton Hoxha, thotë që ndonëse gjendja ende nuk është alarmante, në atë drejtim ai ka thënë se do të shkojnë shumë shpejt pas ofertave të shumta për punësim jashtë vendit.