Kreu Financa Njoftim me rendesi nga Ministria e Financave per keto kategori te familjeve

Njoftim me rendesi nga Ministria e Financave per keto kategori te familjeve

nga Kontabilisti

Mbështetet punësimi i familjeve përfituese nga reforma e asistencës sociale

Qeveria e Republikës së Kosovës sot lansoi masën mbështetëse të punësimit të anëtarëve të aftë për punë në kuadër të pilotimit të reformës së asistencës sociale.

Në këtë takim ishin të pranishëm Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Drejtori i Zyrës së Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, Massimiliano Paolucci dhe Drejtorja e Departamentit për Aftësim Profesional në Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës, Jehona Rexha.

Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti duke vënë theks tek reforma që po realizohet, tha “po të shikohet në të kaluarën, ku, për shkak të kritereve diskriminuese, qytetarët ishin larguar nga skema e asistencës sociale edhe kur punësimi i tyre kishte zgjatur vetëm një muaj, reforma jonë jo vetëm që mbështet punësimin për gjashtë muaj, por gjithashtu nxit qëndrueshmërinë e punësimit edhe pas një periudhe shtesë prej gjashtë muajsh”.

Ndërsa, Ministri Murati ofroi më shumë detaje rreth masës duke thënë se pas heqjes së kritereve diskriminuese, tani po ofrohet mbështetja për integrimin e personave të aftë për punë në tregun e punës.

“Mbështetjen për këto familje po e fillojmë me masën e subvencionimit në pagë ku punëdhënësit i subvencionojmë 70% të pagës bruto të punëtorit të punësuar përmes kësaj mase, për 6 muaj me radhë, deri në maksimum prej 350 euro në muaj. Tutje, për punëdhënësit që angazhojnë punëtorin e njëjtë edhe për gjashtë muaj të tjerë, në përfundim të gjashtëmujorit të dytë të angazhimit, mund të përfitojnë një shumë të njëhershme në vlerë prej 20% të mesatares së pagave të punëtorit në gjashtë muajt e dytë”, njoftoi ministri Murati.

Drejtori i Zyrës së Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, Z. Massimiliano Paolucci përgëzoi Qeverinë e Kosovës për hapat e ndërmarrë për reformimin e skemës e asistencës sociale në Kosovë dhe shprehi gatishmërinë e Bankës Botërore për të vazhduar mbështetjen e Qeverisë në këtë proces.

Kurse Jehona Rexha, Drejtore e Departamentit për Aftësim Profesional në Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës, tha se fillimi i Programit të Reformës së Asistencës Sociale fokusohet te përfituesit, duke ridizajnuar hapat dhe kriteret për personat dhe familjet përfituese, duke larguar kriteret diskriminuese dhe duke ulë mundësinë e keqpërdorimit të skemës.

Përveç bizneseve, nga kjo masë e punësimit, mund të përfitojnë edhe organizata joqeveritare. Anëtarët e aftë për punë që regjistrohen në zyrat e punësimit, do të përfitojnë këshillim të specializuar, ku vlerësohen aftësitë e tyre dhe krijohen plane individuale për punësim. Për ata që kanë nevojë për zhvillim aftësish, ofrohen programe për trajnimin dhe rritjen e shkathtësive, ndërkaq për ata që janë të gatshëm për të hyrë në tregun e punës, ofrohen incentiva si ajo e subvencionimit në pagë.

Në këtë takim ishin të pranishëm 42 këshilltarë të punësimit të rekrutuar rishtazi që do të angazhohen në komuna të ndryshme të Kosovës për të mbështetur integrimin në tregun e punës për familjet në asistencë sociale.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni