Banka qendrore e Turqisë ndaloi përdorimin e kriptovalutave për të blerë mallra dhe shërbime, duke përmendur dëmet e mundshme “të pariparueshme” dhe rreziqe të konsiderueshme në transaksione të tilla.
Sipas Reuters, përcjell Telegrafi, në legjislacionin e botuar në Gazetën Zyrtare brenda ditës, Banka Qendrore e Turqisë (CBRT) tha se kriptovalutat nuk mund të përdoren, direkt ose indirekt, si një instrument pagese.
“Ofruesit e shërbimeve të pagesave nuk do të jenë në gjendje të zhvillojnë modele biznesi në një mënyrë kriptovalutat të përdoren direkt ose indirekt në sigurimin e shërbimeve të pagesës dhe lëshimin e parave elektronike dhe nuk do të jenë në gjendje të ofrojnë ndonjë shërbim në lidhje me modele të tilla biznesi”, citohet të ketë thënë banka.
Një bum në rritje në tregun e kriptovalutave të Turqisë kishte fituar ritëm të mëtejshëm kohët e fundit, me investitorët që shpresojnë të fitojnë nga bitcoin dhe të “strehohen” kundër inflacionit.
Ndërkohë, vë në pah ky medium, një lira më e dobët turke dhe presionet e inflacionit gjithashtu kanë rritur kërkesën për kriptovalutën.
Në një deklaratë që shpjegon arsyen e ndalimit, banka tha se këto pasuri “nuk ishin subjekt i ndonjë mekanizmi rregullimi dhe mbikëqyrjeje, ose një autoriteti rregullator qendror”, midis rreziqeve të tjera të sigurisë.
“Konsiderohet se përdorimi i tyre në pagesa mund të shkaktojë humbje të pakthyeshme për palët në transaksione për shkak të faktorëve të lartpërmendur dhe ato përfshijnë elementë që mund të minojnë besimin në metodat dhe instrumentet e përdorura aktualisht në pagesa”, banka qendrore ka thënë në një deklaratë.
Ndryshe, inflacioni vjetor i Turqisë u rrit mbi 16% në mars.
Legjislacioni hyn në fuqi në 30 prill dhe siç edhe mund të pritej, Bitcoin shënoi një rënie prej 2.59% në 61,757 dollarë.