Njoftim për tatimpagues
ATK, në implementim të Projektit “Kreditimi i TVSH-së”
Administrata Tatimore e Kosovës, rikujton të gjithë personat të cilët merren me aktivitete afariste, se në bazë të legjislacionit tatimor janë të obliguar të: regjistrohen, mbajnë dokumentacion, deklarojnë dhe të paguajnë saktë detyrimet tatimore.
Bazuar në Planin Strategjik 2022-2026 dhe Planin e Trajtimit të Rreziqeve për vitin 2023, ATK ka hartuar Planin e Veprimit për të përmirësuar përmbushjen tatimore të personave të tatueshëm të regjistruar për TVSH, përfshirë të gjithë faktorët me ndikim në kreditimin e TVSH. Përmes këtij plani, ATK do të kryejë aktivitete intensive me qëllim të identifikimit të personave të cilët nuk deklarojnë saktë kreditimin e TVSH-së.
Administrata Tatimore e Kosovës, u bënë thirrje të gjithë personave të tatueshëm që të përmbushin të gjitha detyrimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor, gjegjësisht të:
• Deklaroni dhe paguani saktë tatimin;
• Mbani dokumentacionin sipas Ligjit;
• Deklaroni furnizimet tuaja duke aplikuar saktë normën e TVSH-së;
• Zbritjen e TVSH-së ta bëni saktë sipas Ligjit të TVSH-së;
• Aplikoni ngarkesën e kundërt për TVSH, ashtu siç kërkohet me Ligj; etj.
Administrata Tatimore e Kosovës, inkurajon të gjithë personat fizikë afarist dhe personat juridikë t’u përgjigjen saktë detyrimeve tatimore, në të kundërtën, do të ndërmerren masat e përcaktuara me legjislacionin tatimor.
Me kryerjen e detyrimeve tuaja tatimore, ju kontribuoni direkt në ofrimin e shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, shërbime më të mira shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie të qëndrueshme ekonomike dhe shoqërore.
Paguaj tatimin, fuqizo shtetin!
Administrata Tatimore e Kosovës