Për herë të parë në Republikën e Kosovës, përcaktohen kushtet për ushtrimin e veprimtarisë së operatorëve ekonomik që ushtrojnë veprimtarinë e qiradhënies së automjeteve.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, nënshkroi sot Udhëzimin Administrativ për shoqëritë tregtare me të cilin përcaktohen kushtet dhe kriteret e ofrimit të shërbimeve të automjeteve me qira (rent-a-car).
Sipas këtij udhëzimi, ndër të tjera shoqëritë tregtare që ushtrojnë veprimtarinë e ofruesit të shërbimeve të automjeteve me qira, obligohen që të regjistrohen në regjistrin e turizmit sipas kërkesave të Udhëzimit Administrativ për Regjistrin e turizmit brenda 30 ditëve nga dita e fillimit të ushtrimit të veprimtarisë.
Poashtu, me Udhëzimin e ri Administrativ parashihet që ofruesit e shërbimit të automjeteve me qira duhet të lidhin kontratë në secilin rast të ofrimit të automjeteve me qira dhe gjatë gjithë kohës duhet të kenë të regjistruara dhe të siguruara të gjitha automjetet sipas legjislacionit përkatës për sigurimin e detyrueshëm nga auto përgjegjësia.
Gjithashtu operatorët obligohen të kenë së paku 10 (dhjetë) automjete të përshtatshme për vozitje.
Ky udhëzim administrativ hyn në fuqi 7 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare dhe do të mbikëqyret nga Inspektorati i Tregut, në kuadër të MINT.