Verifikimi i bizneseve nëse janë duke respektuar thirrjet ligjore për lëshim të kuponit fiskal, Administrata Tatimore e Kosovës ka vazhduar edhe të dielën, në qytetin e Prizrenit ku u fokusua te tatimpaguesit të cilët nuk janë të pajisur me pajisje elektronike fiskale (PEF), nuk lëshojnë kuponë fiskalë dhe ata tatimpagues që lëshojnë kuponë jo-fiskal.
Sipas njoftimit të ATK-së, veç kësaj janë monitoruar edhe punëtorët nëse janë të regjistruar.
“Si rezultat i këtyre aktiviteteve në teren/qyteti Prizrenit janë vizituar 5 subjekte biznesore, tek të cilat është konstatuar se nuk kanë lëshuar kuponë fiskal pas shërbimeve të ofruara. Gjithsej, janë lëshuar 91 gjoba në vlerë 35,125 mijë euro, si dhe do të iniciohet rast penal. Këto aktivitete kanë evidentuar edhe 26 punëtorë të pa regjistruar”, thuhet në njoftimin e ATK-së
Administrata Tatimore e Kosovës rikujton të gjithë personat të cilët merren me aktivitete afariste, se në bazë të legjislacionit tatimor aty ku nuk kërkohet të lëshohet faturë tatimore, janë të obliguar që të pajisen me pajisje elektronike fiskale (PEF) / sistem fiskal (SF) dhe të lëshojnë kuponë fiskal.
ATK ka theksuar se nga veprimtaritë, si: tregti, prodhim, shërbim, shëndetësi, hoteleri, arsim, transport, artistike-zbavitëse, etj., nuk zbatojnë këtë obligim, prandaj ATK, u bënë thirrje që të pajisen me PEF/SF dhe të lëshojnë kuponë fiskal. /Telegrafi/