Banka Qendrore e Kosovës njofton se diaspora shqiptare ka dërguar deri në shtator të vitit 2022 remitanca në vlerë prej plot 916,2 milionë euro. Më së shumti para janë dërgur në gusht, në kohën e pushimeve dhe shpenzimeve të mëdha të familjeve. Në gusht janë dërguar 131.6 milionë euro remitanca. Kjo është njëkohësisht edhe koha e fillimit të shtrenjtimeve të mëdha të gjërave për konsumin ditor. BQK njofton se edhe në shtator ka pasur dërgesa të mëdha, me plot 114.2 milionë euro që janë dëguar në Kosovë. Fjala është natyrisht vetëm për dërgesat përmes kanaleve legale bankare apo agjensive të ndryshme.
Këto shifra dëshmojnë se ndihmat gjatë këtij viti për Kosovën nga mërgimtarët janë shtuar në krahasim me vitin 2021 për 54,4 milionë euro në nëntë muajt e parë të vitit. Gjatë vitit të kaluar për këtë periudhë janë dërguar nga diaspora rreth 861,8 milionë euro.
Më së shumti para kanë shkuar në Kosovë nga Gjermania me 38%, pastaj nga Zvicra 17,9 për qind, SHBA me 8.4 për qind dhe Austria me 5,4 për qind.