Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka thënë se 67 për qind e bizneseve kanë shprehur shqetësimin e tyre për largimin e punëtorëve pas liberalizimit të vizave.
Rafuna përmes një konference për media ka thënë se pritjet e tyre për vitin 2024 janë se nuk do të ketë rritje të inflacionit dhe normave të interesit.
“…Pritjet tona janë që në vitin 2024 nuk do të këtë rritje të inflacionit dhe normave të interesit. Do të këtë ulje të inflacionit. Ky është një lajm i mirë për bizneset që në vitin 2024 do të këtë rënie të normave të interesit…”, tha ai.
Sipas tij, nga një analizë që kanë bërë me 500 kompani të ndryshme në vend, del që 53 për qind e të anketuarve kanë deklaruar që ka mungesë të porosive dhe mallrave.
“Në Odën Ekonomike është bërë një punë e mrekullueshme, dhe vet rritja e stafit e dëshmon punën tonë. Kemi bërë një analizë të 500 bizneseve të sektorëve të ndryshëm dhe kemi nxjerr se cilat janë sfidat dhe barrierat për vitin 2023. Del që gjatë vitit 2023 ka pasur një mungesë të porosive, kërkesës, këtu hyn edhe ndërtimtaria te shitja e banesave.
53 për qind e të anketuarve kanë deklaruar që ka mungesë të porosive dhe mallrave. 70 për qind kanë deklaruar që kanë mungesa të personelit të kualifikuar. Kapacitete teknike 32 për qind. Mungesa e mjeteve financiare është 66 për qind. Vështirësi në marrjen e kredive është 31 për qind. Problemi me mungesë të energjisë elektrike kanë deklaruar se kanë 28 për qind”, tha Rafuna.
Po ashtu, ai tha se 67 për qind e bizneseve janë shumë të shqetësuar nga largimi i punëtorëve pas 1 janarit me liberalizimin e vizave. /Telegrafi/