Qytetarë të shumtë po raportojnë se për shkak të monedhës 2 euro e cila kohët e fundit në treg po qarkullon në mase të madhe false, shumë prej bizneseve nuk po i pranojnë as monedhën 2 euro që është origjinale.
Madje, disa qytetarë i thanë Telegrafit se as nuk janë në dijeni se ku duhet t’i raportojnë bizneset dhe nëse është shkelje ligjore mospranimi i 2 eurove origjinale.
E në një deklaratë me shkrim për Telegrafin nga Banka Qendrore të Kosovës thonë se nuk mund të kenë informacion lidhur me atë se sa mund të jetë shifra e parave të falsifikuara në treg.
“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës nuk ka dhe as nuk mund të ketë informacion për numrin e monedhave të falsifikuara në qarkullim meqë ky aktivitet është i jashtëligjshëm dhe vepër penale sipas ligjit.
Të dhënat për rezultatet e luftimit të këtij fenomeni si dhe karakteristikat e specifikat e tyre, mundet t’i siguroni apo merrni nga organet përgjegjëse të sigurisë, me saktësisht Drejtorinë për Hetimin e krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës si dhe Departamentin për Traseologji Forenzike”, thonë nga BQK-ja.
Por, BQK thekson se në kuadër të përgjegjësive të saj është duke u koordinuar në aspektin ndër-institucional me organet përgjegjëse për t’i mbështetur në veprimet e tyre për kufizimin dhe parandalimin e këtij aktiviteti, duke ofruar të gjithë bashkëpunimin e nevojshëm dhe mbështetjen profesionale.
“Edhe aktivitetet e ndërmarra së fundi dhe në vazhdimësi kanë kontributin e BQK-së dhe dalin nga ky bashkërendim dhe ndërveprim institucional.
Gjithashtu, edhe aktivitetet e sensibilizimit dhe edukimi i publikut lidhur me shmangien e pagesave në para të gatshme dhe zëvendësimin me instrumente elektronike shkon në drejtim të adresimit të kësaj çështjeje”, thonë nga BQK.