Neni 6 – Krijimi dhe mbajtja e regjistrave
Është shtuar dispozita që regjistrat që lidhen me shërbimet elektronike duhet të mbahen për një
periudhë prej së paku dhjetë (10) vite pas përfundimit të periudhës tatimore kur janë ofruar
shërbimet elektronike.
Është shtuar dispozita që regjistrat që lidhen me transaksionet e arit të investueshëm duhet të
mbahen për një periudhë prej së paku dhjetë (10) vite.
Çdo transaksion mbi treqind euro (300€) i bërë në mes të personave të përfshirë në aktivitet
ekonomik, kërkohet të bëhet përmes llogarisë bankare dhe/ose formave tjera të pagesës në mënyrë
elektronike. Po ashtu, edhe për pagesat e pjesshme me para dhe pjesa tjetër me kompensim, kur
transaksioni është mbi 300€ vlen rregulla e njëjtë. Pra, ndryshimi është ulja e vlerës së transaksionit
nga 500€ në 300€, si dhe mundësia e pagesës edhe përmes mënyrës elektronike e jo vetëm përmes
llogarisë bankare.
Është shtuar dispozita edhe për transaksionet nga biznesi për individin, si: Çdo transaksion mbi vlerën
e përcaktuar me vendim nga Ministri, i bërë në mes të personit që zhvillon aktivitet ekonomik dhe
personit fizik jo afarist, kërkohet të bëhet përmes llogarisë bankare dhe/ose formave tjera të pagesës
në mënyrë elektronike.
Është shtuar dispozita që pagat të paguhen përmes institucioneve financiare, si: Çdo pagë që i
paguhet të punësuarit, kërkohet të bëhet përmes një institucioni financiar të licencuar.