Projektligji për tërheqjen e një pjese të kursimeve pensionale nga Trusti, do të jetë në shqyrtim në seancën e së enjtes të Kuvendit të Kosovës.
Kjo çështje do të jetë si pikë e parë e rendit të ditës. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit ku janë caktuar dy seanca plenare për këtë javë.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Ableard Tahiri u shpreh se qytetarët janë duke pritur lejimin për të tërhequr nga 10 deri në 30% të kursimeve në Fondin e Kursimeve Pensionale.
“Shpresojmë që të gjithë deputetët do të reflektojnë kësaj kërkese të qytetarëve të Kosovës, është e rëndësishme për secilën familje e cila do ta zbusë sado pak gjendjen e rëndë të cilën janë duke e përballuar, e dimë inflacioni shumë i lartë, pagat janë zhvlerësuar dhe nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet që i kanë familjet në vend, qofshin policit, arsimtarit, qofshin profesorët, mjekët, të gjithë që paguhen nga buxheti i Kosovës dhe urojmë që ditën e enjte do të kalojë në lexim të parë dhe të mos refuzohet ashtu siç është refuzuar herën e kaluar”, deklaroi Tahiri.
Mirëpo, Lëvizja Vetëvendosje, si grupi më i madh parlamentar, vijon ta kundërshtojë këtë iniciativë.
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, konfirmoi se partia e saj nuk ka ndryshuar qëndrim rreth kësaj çështjeje dhe sërish e kundërshton tërheqjen e kursimeve pensionale.
“Qëndrimi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje është i qartë, nuk e kemi mbështetur tërheqjen e 30%s-hit të Fondit të Kursimeve Pensionale, konsiderojmë se në aspektin ekonomik mund të ketë një ndjesi të zgjidhjes në aspektin afatshkurtër megjithatë në të njëjtën periudhë kohore do të ketë ndikim afatmesëm dhe afatgjatë negativ edhe në mirëqenien e qytetarëve edhe në parametra të tjerë ekonomikë, përfshirë edhe ngritjen e çmimeve, sasinë e cash-it në qarkullim dhe humbjen e sigurisë për të ardhmen për të gjithë ata që i tërheqin Fondin e Kursimeve Pensionale kur të arrijnë moshën e pensionimit”, deklaroi Kusari-Lila.
Në qershor të vitit të kaluar, përkundër debateve propozimi për tërheqjen e kursimeve pensionale nuk kaloi. /Telegrafi/