Ministri i Punës, Fiinancave dhe Transfereve, Hekuran Murati përmes një konference për media tha se i kanë propozuar Zyrës së Rregullatori të Energjisë që blloku tarifor për amvisëritë të jetë 1000 KW, prej tyre 500 gjatë ditës dhe 500 gjatë natës.
“Sa i përket strukturës tarifore ne kemi propozuar që për amvisëritë blloku i parë tarifor të jetë deri në 1000 KW orë, i ndarë në 500 KW gjatë ditës dhe 500 KW gjatë natës, pasi konsiderojmë se familjet e kanë të vështirë të përshtaten kaq shpejt. Për këtë bllok kemi propozuar që çmimi të mbetet i pandryshuar”, ka thënë Murati.
“Për ato familje që e tejkalojnë këtë prag kemi propozuar që edhe tarifa e lartë të ulet nga 14 cent në 11.5 cent”, shtoi tutje Murati.
Ai tha se në këtë mënyrë konsumatorët mund ta bartin një pjesë të konsumit gjatë natës, atëherë kur edhe importi është më i lirë.
“Arsyeja pse kjo ndarje tingëllon si më e duhura është se konsumatorët mund të kursejnë në dy mënyra, duke zvogëluar konsumin dhe duke zhvendosur konsumin e ditës gjatë natës. Madje, edhe importi i energjisë gjatë natës është shumë më i lirë sesa gjatë ditës”, shtoi tutje Murati.