Komuna e Prishtinës ka vendosur që t’u japë shtesa prej 500 eurosh nëpunësve të saj. Për këtë ka hapur tender për furnizim me pako ushqimore dhe ka njoftuar për dhënie të tij me kontratë që ka peshën e 450 mijë eurove. Një praktikë të tillë kjo komunë e ka bërë edhe gjatë viteve të kaluara, por që nuk e kanë ndjekur komunat e tjera të mëdha.
Komuna e Prishtinës do t’i shpërblejë me nga 500 euro nëpunësit e saj për festat e fundvitit, në bazë të një vendimi të marrë nga kryetari Përparim Rama.
Në bazë të vendimit, qasje në të cilën ka pasur KOHA, një shumë prej 450 mijë eurosh është ndarë nga kodi “mallra dhe shërbime” i Drejtorisë për Mirëqenie Sociale dhe do të destinohet për pako ushqimore me vlerë prej 500 eurosh, për zyrtarët e administratës së Komunës së Prishtinës. Burime të KOHËS kanë bërë të ditur se vendimi do të përfshijë mbi 700 zyrtarë, mes të cilëve asamblistë të kabinetit politik të kryetarit.
E tenderin e hapur për furnizim, në platformën “eprokurimi”, të mërkurën është njoftuar se e kanë fituar kompanitë “Beni Dona Plast” e “Viva Fly”.
Në Komunën e Prishtinës nuk janë përgjigjur për ta komentuar vendimin. E veprimi i kryeqendrës së Kosovës nuk është vlerësuar të jetë praktikë edhe nëpër komuna të tjera. Në atë të Gjilanit, KOHËS i kanë thënë se nuk mbahet mend që ndonjëherë ka pasur shpërblime të kësaj natyre.
“Komuna e Gjilanit nuk ka marrë asnjë vendim për shtesa për fundvit për nëpunësit komunalë, si dhe nuk ka pasur asnjë kërkesë për shtesa. Sipas Zyrës së Personelit, asnjëherë në Komunë nuk janë dhënë shtesa për nëpunësit komunalë”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Gjilanit.
Në Asociacionin e Komunave të Kosovës kanë thënë se nuk u takon që t’i komentojnë çështjet e as praktikat jouniforme për ndarje të shtesave nëpër komuna.
Komuna e Prishtinës edhe më herët pati shpërblyer punëtorët për fundvit. Vitin e shkuar Kuvendi Komunal pati miratuar shtesat nga 300 euro për secilin punëtor, nga kategoria “mallra dhe shërbime” i programit të shërbimeve esenciale të administratës së përgjithshme.