Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, përmes një reagimi publik të hënën ka sqaruar situatën në Trepçë, në Minierën e Stantërgut.
Në një postim në Facebook, Rizvanolli ka thënë se po qarkullojnë shumë të pavërteta, ndaj ka sqaruar se në këtë ndërmarrje publike është parë përparim gjatë dy viteve të fundit.
Sipas saj, në Trepçë është rritur prodhimi e të hyrat si dhe janë ulur shpenzimet operative.
“Janë miratuar një varg rregullore që vendosin rend e disiplinë. Ne si Qeveri e kemi përkrahur Trepçën me subvencione për t’u përballur me krizën energjetike dhe me investime kapitale. Mirëpo, ende kemi shumë punë përpara, bashkë, e do t’i rrimë në krah Trepçës në rrugëtimin e saj”, ka shkruar Rizvanolli.
Tutje, ajo ka thënë se tani është koha që Trepça të përkrahet edhe me investime në teknologji të re – “investime këto që nuk janë bërë që 50 vite e që do ta rrisin efiçiencën e prodhimit, performancën operative e financiare të ndërmarrjes, e do të mundësojnë hapjen e vendeve të reja të punës”.
“Pavarësisht që disave u janë prishur llogaritë e interesat, e kjo frymë e re mund të mos u pëlqejë, Trepça dhe ndërmarrjet tjera publike DO TË BËHEN E PO BËHEN, në funksion të qytetarëve e të shtetit të Kosovës, e në të mirë të punonjësve të tyre që punojnë palodhshëm e me nder!”, ka shkruar tutje ministrja.
Sipas Rizvanolli, të thuhet se sfidat e Trepçës janë indikator se ajo duhet privatizuar është, prapë jo vetëm e pabazuar por edhe ofenduese për inteligjencën e punonjësve të Trepçës e të gjithë qytetarëve të Mitrovicës e të Republikës së Kosovës.
“Në Trepçë kanë hyrë më se 100 milionë euro të taksapaguesve që nga paslufta, por çuditërisht nuk ka pasur asnjë investim serioz që nga viti 2008. Një pjesë e madhe e tyre me gjasë thjesht u avulluan. Mbetjet e vlefshme u shitën për vlera qesharake, e në mënyrë të jashtëligjshme. Tokat e Trepçës u dhanë me qira për eksploatim nga operatorët privatë”, ka sqaruar ajo.
“Dhjetëra prona të paluajtshme të Trepçës u lejuan të uzurpohen me dekada nga operatorë të ndryshëm. Trepça nuk kishte rregullore të punës, rregullore për menaxhim të pronës, e pothuajse për asgjë tjetër, sepse kështu ishte në interes të atyre që e kanë vjedhur e zhvatur Trepçën pamëshirshëm e në mënyrë të paskrupullt ndër vite”.
Rizvanolli ka bërë të ditur se Trepça nuk është audituar nga Zyra e Kombëtare e Auditimit që nga viti 2012, derisa Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar auditim të saj në vitin 2021 dhe ky auditim i performancës është realizuar.
“Ndërkohë, Njësia e Auditimit të Brendshëm në ndërmarrje ishte degraduar për vite të tëra për të pamundësuar evidentimin e parandalimin e keqpërdorimeve. Trepça nuk ka problem me pronësi – publike apo private. Trepça është vjedhur e zhvatur ndoshta më shumë se çdo ndërmarrje tjetër publike, edhepse kjo nuk ka qenë aq e dukshme sa tek disa të tjera, sepse ata që e kanë (keq)menaxhuar janë kujdesur që as dokumentim e auditim si duhet të mos ketë”.
“Por, ky kapitull është mbyllur njëherë e përgjithmonë me qeverisjen tonë. Si çdo institucion e ndërmarrje tjetër publike, jam e bindur që Trepça e ka kaluar tashmë periudhën e saj të errët dhe ajo ka një të ardhme të ndritshme. Siç kemi thënë që nga fillimi i mandatit, Qeveria ynë është e përkushtuar për të përkrahur ndërmarrjet publike në rrugën e tyre të ligjshmërisë e ringjalljes, por që kjo përkrahje kushtëzohet nga përkushtimi i tyre për ta eliminuar krimin e korrupsionin përbrenda, e për ta rritur performancën”, ka përfunduar ajo. /Telegrafi/