Ajo që vazhdon të mbetet e paqartë në këtë situatë është forma e ekzekutimit të pagave për grevistët. Drejtorët komunalë të Arsimit ka nisur t’i shqetësojë paralajmërimi i Qeverisë se grevistët nuk do t’i marrin pagat për aq kohë sa janë në grevë.
Ndaj këtyre paralajmërimeve ka reaguar Sindikata e Arsimit dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës. Mosekzekutimin e pagave e vlerësojnë si shkelje ligjore.
Tri ditë para se të bëhet ekzekutimi i pagave për sektorin publik, ka mbetur e paqartë nëse pagat do t’i marrin edhe grevistët.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu, thotë se ndalja e mundshme e pagave për punëtorët grevistë është e paligjshme.
“Nëse nuk ekzekutohen pagat deri më 5 tetor sepse afati I fundit është kjo datë, atëherë mund të ketë edhe padi nga secili punëmarrës nga institucionet për shkak të mosekzekutimit të pagave për ata që janë në grevë sepse është e padrejtë që të mos ekzekutohen pagat nga dikush që nuk u jep punë atyre”, tha për RTK-në Agim Aliu, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës
Shqetësim të njëjtë me kryetarin Aliu ndajnë edhe drejtorët komunalë të arsimit në Drenas dhe Fushë Kosovës, të cilët më 10 shtator kanë përcjellë listën e pagave në Ministri të Financave.
“Shpresojmë se do të procedohen në mënyrë të rregullt, ashtu siç është e paraparë me ligj”, tha Muhamet Gjoka, drejtor i Arsimit në Drenas.
“Fatkeqësisht ne presim që të ketë penalizëm në paga nga qeveria për grevistët, derisa urojmë që kjo mos të ndodhë e të gjendet ndonjë marrëveshje sa më parë”, tha Samir Shahini, drejtor i Arsimit në Fushë Kosovë
Por, drejtori Gjoka thotë se do të bëjë ç’është e mundur që të mos ketë penalizim për mësimdhënësit grevistë.
“Komuna do t’i përdorë të gjithë mundësitë ligjore dhe mjetet ligjore që janë në dispozicion, për t’i garantuar të drejtën e mësimdhënësve dhe stafit tjetër që t’i marrin pagat në bazë të kontratës që e kanë”, tha Muhamet Gjoka, drejtor i Arsimit, Drenas.
Nënkryetari i SBAShK-ut, Ymer Ymeri, thotë se nëse Qeveria ndërmerr një veprim të tillë, do të bëjë vepër penale. Sipas tij, nëse Qeveria mendon se kjo është e paligjshme, atëherë duhet të ngre një procedurë tjetër ndaj punëdhënësit, duke shtuar se një veprim i tillë paraqet kërcenim ndaj grevistëve për ta përfunduar grevën.