Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dje kanë prezantuar dhe aprovuar Programin për Pagesa Direkte – Subvencione për vitin 2023 për sektorin e bujqësisë.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë, buxheti për këtë sektor do të jetë rreth 100 milionë euro, dhe kjo është hera e parë që ky program aprovohet që në fillim të vitit, përcjell Buletini Ekonomik.
“Është hera e parë që ky program është në fillim të vitit, në javën e parë të janarit. Gjithë kjo vetëm falë vullnetit, punës dhe angazhimit tonë, në mënyrë që bujqit e Kosovës, të kenë qasje më të hershme tek mbështjetja financiare institucionale”, thuhet në komunikatën për media nga ministria.
Sipas Programit për Pagesa Direkte – Subvencione 2023, kulturat që do të subvencionohen më së shumti janë perimet e mbjella nëpër sipërfaqe të mbyllura, të cilat pritet të subvencionohen me 904 euro për hektar. Pas tyre, vijnë kultura e patates dhe fasules, me ç’rast bujqit që do të mbjellin këto dy kultura do të subvencionohen me nga 654 euro për një hektar të mbjellë.
Gruri sivjet do të përkrahet me 474 euro për hektar të mbjellë, njësoj sikur edhe gjatë vitit të kaluar, ndërsa përpos kësaj, bujqit do të ndihmohen edhe me subvencionimin e farës dhe shpenzimet tjera gjatë mbjelljes dhe kultivimit të kësaj kulture. Kështu, këtë vit Ministria e Bujqësisë do të shpëndajë pagesa direkte edhe për farën e grurit ku përveç pagesës për sipërfaqe prej 250 euro, do të subvencionohen 150 euro për plehërimin e fushës së mbjellë, 54 euro për naftën dhe 0.04cent për kilogram apo një mesatare prej 160 euro, e që në total arrin 614 euro për hektar.
Sipas njoftimit të ministrisë, tek subvencionimi i grurit, pragu minimal i aplikimit do të jetë një 1 hektar, ndërsa sasia e dorëzuar e grurit në mulli do të startojë nga 3000 kilogram.
Ndërkohë, perimet e mbjella në sipërfaqe të hapur do të subvencionohen me 554 euro për hektarë, misri me 329 euro për hektarë, derisa kulturat pemëtare do të subvencionohen me 504 euro për hektar.
Ky Program, sipas ministrisë në fjalë, sjellë shumë risi ku ndër të tjera këtë vit për herë të parë do të përkrahet edhe kultura e lulediellit si produkt strategjik i rëndësishëm për sigurimin e lëndës së parë për prodhimin e vajit ushqimor. Në bazë të kësaj, pritet që një hektar luledielli të subvencionohet me 454 euro, përcjell Buletini Ekonomik.
Një risi tjetër në këtë program, është edhe përkrahja financiare për kulturën e gështenjës, e cila do të subvencionohet si pemët e tjera me 504 euro për hektarë.
“Këtë vit vazhdojmë mbulimin e vlerës së akcizës së naftës në vlerë prej 0.36 cent për litër si dhe subvencionimin e pjesshëm të plehërave artificiale në vlerë prej 150 euro për hektarë për kulturën e grurit ndërsa 100 euro për hektarë për misrin patatet dhe fasulet monokulturë”, thuhet tutje në njoftimin e ministrisë.
Nga ministria kanë shtuar tutje se nga ky Program do të eliminohet edhe përshkallëzimi në disa kultura, prandaj edhe pagesa për prodhimtarinë e materialit fidanor të pemëve drufrutore do të subvencionohet me 0.25 euro për copë. Sipas tyre, përshkallëzimi do të largohet edhe për sektorin e pulave vojse.
“Për herë të parë subvencionojmë zogjtë për majmëri apo broilerët me 0.20 euro për zog”, theksohet në njoftim.
Edhe tek bimët mjekësore dhe aromatike pritet që të ketë subvencionim, me ç’rast për një hektar të mbjellë me bimët mjaltëdhënëse, bujqit do të subvencionohen me 450 euro. Ndërsa, sa i përket bujqësisë organike, këtë vit do të subvencionohen me shtesë 50 euro për hektarë sipërfaqet që janë në konvertim, ndërsa është rritur përkrahja në 100 euro për hektarë edhe për sipërfaqet e certifikuara.
Gjithashtu, Ministria e Bujqësisë ka njoftuar se edhe sivjet do të mbulohet Primi i Sigurimit prej 75% të vlerës, prandaj ajo i inkurajon të gjithë bujqit që ta sigurojnë mundin e tyre.