Kreu Financa Mërgata vazhdon me rekordin e remitencave, gjatë 2022-së sollën kaq miliard euro në Kosovë

Mërgata vazhdon me rekordin e remitencave, gjatë 2022-së sollën kaq miliard euro në Kosovë

nga Kontabilisti

Pavarësisht krizës botërore të shkaktuar nga agresioni ushtarak rus në Ukrainë, mërgata vazhdon të kontribuojë në dërgimin e parave për familjet e tyre në Kosovë.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovë (BQK) tregojnë se gjatë vitit 2022, diaspora ka dërguar 59.4 milionë euro më shumë, shkruan Telegrafi.

Për këtë periudhë, vlera më e lartë ishte gjatë muajit gusht me 131.6 milionë euro nga totali prej mbi 1.2 miliard euro.

Sipas kanaleve të dërgimit, BQK-ja thotë se, 702.1 milionë euro janë transferuar me anë të agjencive të dërgesave të parëve, kurse pjesa tjetër me anë të bankave komerciale dhe kanaleve alternative.

Ndërsa, sa i përket dërgesave të mërgatës sipas vendeve, Gjermania është shteti ku më së shumti dërgohen para në drejtim të Kosovës. Nga ky vend kanë ardhur 41.2 për qind e dërgesave, ndjekur nga Zvicra me 20.2 për qind dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 9.1 për qind.

“Remitancat përbëjnë një ndër financuesit kryesor të konsumit, dhe kanë një pjesëmarrje prej 14.1 për qind në gjithsej Prodhimit të Brendshëm Bruto e gjeneruar në vend. Përveç faktorit altruist që karakterizon dërgesat e emigrantëve në Kosovë, e që mund të jetë përforcuar si pasojë e tkurrjes së të ardhurave të disponueshme në ekonomi si pasojë e inflacionit, rritja e remitancave gjatë muajve të verës mund t’i atribuohet edhe zhvlerësimit të euros ndaj valutave tjera”, thuhet në raportin e BQK-së për vlerësimin tremujor të ekonomisë.

Remitencat sipas kanaleve të dërgimit, janar-dhjetor 2022 | Burimi: BQK

“Në tremujorin e tretë të 2022-së, është vënë re një rritje prej 21.6 për qind e remitancave të dërguara përmes bankave, ndërsa remitancat përmes agjencive për transferimin e mjeteve shënuan rritje prej 14.3 për qind”, vijon raporti.

Ndërsa sipas Bankës Botërore, pjesëmarrja e remitencave në PBB-në e Kosovës është rreth 20 për qind, ku nga shpallja e pavarësisë janë dërguar 13 miliardë euro.

Shuma e remitencave të dërguara sipas viteve në Kosovë: 2008 – 858 milionë euro, 2009 – 865 milionë euro, 2010 – 825 milionë, 2011 – 814 milionë euro, 2012 – 775 milionë euro, 2013 – 867 milionë euro, 2014 – 901 milionë euro, 2015 – 796 milionë euro, 2016 – 808 milionë euro, 2017 – 911 milionë euro, 2018 – 1.13 miliard euro, 2019 – 1.23 miliard euro, 2020 – 980 miliard euro dhe 2021 – 1.14 miliard euro.

Për sa i përket vizitës së mërgatës në vend, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” gjatë këtij viti thotë se ka shërbyer numrin më të madh të udhëtarëve ndonjëherë, pra rreth 3 milionë udhëtarë dhe 21,842 fluturime.

Top pesë destinacionet që kanë prirë për nga numri i udhëtarëve që kanë fluturuar drejt Prishtinës përfshin vendet si Zvicra, Gjermania, Turqia, Austria dhe Britania e Madhe.

Nga rezultatet preliminare të regjistrimit të diasporës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, të cilët i janë përgjigjur regjistrimit është rreth 350 mijë. /Telegrafi/

Ju gjithashtu mund të pëlqeni