Kryeministri Kurti e vizitoi FKPK-në
Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministri i Financave, z. Hekuran Murati, e vizitoi dje Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK). Kjo ishte vizita e parë e një Kryeministri të Kosovës që i bëhet FKPK-së qysh prej shpalljes së pavarësisë së vendit.
Kryeministri Kurti në takim u prit nga Kryesuesi i Bordit Drejtues, z. Emanuel Bajra; nga anëtarët e Bordit Drejtues: znj. Mimoza Mustafa, z. Trim Shala dhe z. Shpresim Vranovci si dhe Drejtori Menaxhues, z. Adrian Zalli.
Z. Bajra e njoftoi Kryeministrin e Kosovës me zhvillimin e institucionit nga themelimi, duke çmuar profesionalizmin e lartë që institucioni e ka trashëguar dhe veçanërisht faktin që FKPK-ja i menaxhon rreth 2.7 miliardë euro me një staf prej vetëm 30 vetash. Z. Bajra gjithashtu i vlerësoi përpjekjet e institucionit për mbrojtjen e kontribuuesve gjatë viteve të fundit me mjaft risk financiar (2022 dhe 2023) duke arritur që të mbrohen të pensionuarit nga performanca negative përmes një Portofoli Konservativ që kishte rezultat pozitiv. Z. Bajra po ashtu deklaroi që Bordi i ri Drejtues synon t’i dinamizojë proceset në FKPK dhe të rekrutojë profesionistë të fushës së financave, duke nënvizuar rëndësinë dhe peshën e vendimmarrjes profesionale në institucion, për çka do të kërkohet staf i duhur dhe i mjaftueshëm.
Ndërsa, z. Shpresim Vranovci, deklaroi se industria financiare në Kosovë përgjithësisht është në fazë të hershme të zhvillimit dhe do të ishte një zgjidhje e mençur që studentë të aftë e të dëshmuar të angazhohen dhe ngritën profesionalisht edhe në fushën e tregjeve financiare, meqë kështu do mund t’i shërbenin edhe gjithë industrisë financiare në Kosovës. Në shtesë të kësaj, z. Trim Shala deklaroi se kontribuuesit e shërbyer nga FKPK-ja përgjithësisht kanë vlerësim pozitiv për institucionin, porse publiku i gjerë ka marrë mesazhe negative për FKPK-në, prandaj kërkohet një angazhim shtesë për t’i vetëdijesuar kontribuuesit për veçoritë dhe rolin e këtij institucioni. Edhe znj. Mimoza Mustafa shpjegoi se FKPK-ja është në proces të ndërtimit të një portofoli të ri investues, si fazë e ndërmjetme e trajtimit të riskut investues i kalimit nga Portofoli Standard në atë Konservativ, dhe që po punohet në përgatitjen e një plani strategjik për komunikimin me publik për të ardhmen. Ishte Drejtori Menaxhues, z. Adrian Zalli, që e njoftoi Kryeministrin e rritjen e kontributeve pensionale për vitin 2023, për të shkuar në 270 milionë euro, nga rreth 240 milionë euro vitin paraprak, pritshmëritë që më 2024 kjo vlerë të arrijë në 300 milionë euro. Z. Zalli e njoftoi Kryeministrin edhe për proceset vendimmarrëse në të shkuarën, duke pasur kujdes maksimal në investime dhe të shpenzimeve të institucionit, si dhe vlerësoi që masat mbrojtëse për kontribuuesit afër pensionimit kanë dhënë rezultate mjaft të kënaqshme.
Nga ana e tij, Kryeministri Kurti, e konfirmoi mbështetjen për institucionin, sidomos në avancimin profesional dhe ngritjen e resurseve njerëzore në fushën e financave. Ai shtoi se fuqizimi i institucionit është i rëndësishëm, marrë parasysh peshën e madhe që fondi ka krahas ekonomisë, por edhe si instrumenti kryesor për sigurimin e një pensioni të dinjitetshëm në të ardhmen.
Ndërsa Ministri i Financave, z. Hekuran Murati, deklaroi gjatë takimit se pret nga Bordi Drejtues aktual që të ketë guxim profesional në vendimmarrje, të pandikuar nga qëndrimi publik afatshkurtër, dhe që ta trajtojnë interesin e kontribuuesve përmes strategjive afatgjata, pa pasur nevojë për revolucion rrënjësor në institucion.
Kryeministri Kurti në këtë vizitë e takoi edhe stafin e FKPK-së dhe iu shprehu mirënjohje për shërbimin dhe angazhimin në këtë institucion shumë të rëndësishëm për vendin.