Bizneset afatin e fundit për deklarimin dhe pagesën e tatimeve, si dhe deklarimin e pasqyrave financiare e kanë edhe dy javë ditë, deri më 30 prill.
Zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës, thonë se bazuar në vendimin e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve të datës 29.03.2021, është zgjatur afati për deklarimin deri më 30 prill për shkak të ndikimit që ka shkaktuar pandemia COVID-19 tek bizneset.
Zëdhënësja e ATK-së Valentina Bytyqi-Sefa, thotë për KosovaPress se qarkullimi i bizneseve në këtë vit është normal, derisa shtoi se në vitin e kaluar rënia e qarkullimit të bizneseve ishte 1.2 miliardë euro.
Ajo nuk përjashton mundësinë që të ketë rënie të qarkullimit sërish, pasi kjo varet edhe nga masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.
Bytyqi-Sefa: Afati i fundit për deklarim është 30 prill
Ne jemi institucion ekzekutiv, vendimet janë marrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, do të thotë është marrë vendim që të shtyhen këto afate. Vendimet janë marrë sigurisht që të jetë një mbështetje kjo për bizneset pasi që efekti i vitit të kaluar deri më tani është ndjerë tek bizneset. Mirëpo, tash po e shohim që kemi prapë përsëritje të asaj situate dhe secili vendim që është marrë për shtyrje të pagesës së deklarimit të tatimeve, është marrë në mbështetje të bizneseve të cilat në pamundësi të deklarimit në afatet e kërkuara sipas legjislacionit tatimor të kenë mundësi të deklarojnë sipas afateve të cilat i ka përcaktuar me vendim qeveria. Vitin e kaluar kemi pasur rënie të qarkullimit 1.2 miliardë euro, këtë vit rënia e qarkullimit sigurisht nuk është e njëjtë. Kemi qarkullim të mirë, mirëpo kjo mund të ndryshojë në vazhdimësi”, thotë Bytyqi-Sefa.
Deklarimet dhe pagesat e bëra deri në afatin e zgjatur sipas tabelës, nuk i nënshtrohen ndëshkimeve të përcaktuara në legjislacionin tatimor në fuqi.
Për të gjitha llojet e tjera të tatimeve dhe kontributeve, afati për deklarim dhe pagesë mbetet ashtu siç është i përcaktuar me Legjislacionin tatimor në fuqi.
Po ashtu ATK-ja, me qëllim të zbatimit të Vendimit Nr. 04/60 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, datë 27.01.2021, për lehtësimin e ushtrimit të aktivitetit ekonomik të të gjithë tatimpaguesve, si pasojë e gjendjes së vështirësuar ekonomike të krijuar nga pandemia COVID-19, njofton të gjithë tatimpaguesit që kanë obligime tatimore të pashlyera se mos-bllokimi i llogarive bankare të tyre do të jetë i mundur vetëm deri me datë 30.04.2021.
Pas datës 30.04.2021, për të gjithë tatimpaguesit që kanë obligime tatimore të pashlyera, Administrata Tatimore e Kosovës do të zbatojë procedurat e përcaktuara me legjislacionin tatimor në fuqi.
Të gjithë tatimpaguesve që kanë obligime tatimore të pashlyera, Administrata Tatimore ju mundëson që të parashtrojnë kërkesë për lidhjen e marrëveshjes për pagesën me këste të obligimeve tatimore nëse dëshmojnë se kanë vështirësi financiare për t’i përmbushur obligimet për shkak të situatës së pandemisë së shkaktuar si pasojë e COVID-19.
Ndërsa, për të gjithë tatimpaguesit, të cilët nuk kanë vështirësi financiare, Administrata Tatimore, inkurajon që sa më shpejt të përmbushin detyrimet tatimore.