Ministri i Financave Hekuran Murati ka bërë të ditur se deri më tani, janë mbi 45 mijë familje që kanë aplikuar për subvencionim të faturave të energjisë elektrike.
Ndërsa ka thënë se ka ende kohë për të aplikuar. Ministri Murati po ashtu ka dhënë sqarime lidhur me atë se kush duhet të aplikojë.
Postimi i plotë i Muratit:
close
volume_off
Deri më tani, janë bërë mbi 45 mijë familje që kanë aplikuar për subvencionim të faturave të energjisë elektrike.
Ka ende kohë për të aplikuar, andaj shfrytëzojeni këtë mundësi. Aplikimet për grupin e parë mbyllen të dielën, me 1 tetor 2023.
Kush duhet të aplikojë?
Të gjitha familjet që kanë të ardhura më pak se 150 euro/muaj për një anëtar.
Pra nëse familja është me 2 persona, duhet të keni të ardhura më pak se 300 euro/muaj, për 3 persona më pak se 450 euro/muaj, për 4 persona më pak se 600 euro/muaj, e kështu me radhë.
Familjet në asistencë sociale a duhet të aplikojnë?
Po. Të gjitha familjet që janë përfitues të skemave sociale e pensionale, inkurajohen të aplikojnë. Përderisa familja ka më pak të ardhura mujore sesa pragu prej 150 euro/muaj për anëtar, atëherë ju kualifikoheni për subvencionim të energjisë elektrike.
Familja jeton me qira, dhe njehsori elektrik është në emër të pronarit, a mund të përfitojmë nga subvencioni?
Po. Vetëm sigurohuni që tek pyetja “A jetoni me qira”, të zgjedhni opsionin “Po”, të plotësoni fushat e nevojshme, si dhe tek pjesa për Njehsorin Elektrik, të shënoni të dhënat e njehsorit, ashtu që të përputhen me të dhënat e personit që është pronar i banesës/shtëpisë.
Si familje kemi të ardhura, mirëpo një pjesë e konsiderueshme shkon për të paguar qiranë e shtëpisë/banesës ku jetojmë. A kualifikohemi për subvencionim?
Nëse jetoni me qira, atëherë ju duhet të shënoni këtë në rubrikën përkatëse, dhe një pjesë e qirasë që paguani do të merret parasysh, në mënyrë ju të përfitoni më shumë nga subvencioni. Mirëpo sigurohuni që informatat të jenë të sakta, sepse ofrimi i informatave të pasakta do të rezultojë në refuzimin e aplikacionit tuaj.
Jam prind vetushqyes, pra përkujdesem vetëm unë për fëmijët, a ka ndonjë përfitim shtesë?
Nëse jeni prind vetushqyes, ose familje që ka anëtarë me aftësi të kufizuara, apo jetoni si pensionist i vetmuar vetëm ose me bashkëshortin/-en, atëherë ju mund të përfitoni subvencionim shtesë.
Prindërit vetushqyes dhe pensionistët e vetmuar, duhet të zgjedhin kategorinë përkatëse gjatë aplikimit.
urse familjet që kanë anëtarë me aftësi të kufizuara, mjafton të aplikojnë në kategorinë si familje e cënueshme, dhe verifikimet tjera i bëjmë ne me databazat që kemi për pensionet për aftësi të kufizuara.