Kreu Ekonomi Miratohet projektligji për ndalimin e përdorimit të pijeve energjike për personat e moshës nën 18 vjeç.

Miratohet projektligji për ndalimin e përdorimit të pijeve energjike për personat e moshës nën 18 vjeç.

nga Kontabilisti

Me 62 vota për është miratuar Projektligji për ndalimin e përdorimit të pijeve energjike për personat e moshës nën 18 vjeç.

Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli, ka thënë se me projektligj parashihen kontrolle të rrepta që të ndalohet konsumimi i pijeve energjike nga të miturit. 

“Projektligji për ndalimin e përdorimit të pijeve energjike për personat e moshës nën tetëmbëdhjetë vjeç, ka për qëllim të mbrojë shëndetin e fëmijëve dhe grupeve të ndjeshme. Përfshin ndalimin e konsumimit të pijeve nga të miturit dhe përfshin kontrolle të rrepta. Ky projektligj nuk bie ndesh me ndonjë akt të Bashkimit Evropian. Për këtë projektligj janë zhvilluar konsultime të ndryshme publike. Komisioni për Mjedis e ka shqyrtuar këtë projektligj dhe propozojmë që ky projektligj të votohet parimisht”, ka thënë ajo.

Po ashtu, u zgjodhën drejtorët e Bordit në KOSTT – Rejhane Zylfijaja, Gëzim Tosuni dhe Lumnije Zeka – kurse kryesues është zgjedhur Gëzim Tosuni. 

E, Shkurta Bajgora është emëruar anëtare në Këshillin Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, nga radhët e studentëve. 

Deputetët miratuan në parim edhe Projektligjin për banim social dhe të përballueshëm. 

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se ligji parasheh disa programe të banimit. 

“Është instrument thelbësor për të ndihmuar individët e familjet me gjendje ekonomike të vështirë. Projektligji do të mbulojë të gjithë territorin e Republikës e Kosovës dhe do të sigurojë mbështetje te barabartë. Ligji parashikon disa programe të banimit. Banimi social që ofron mundësi qiraje për ata që nuk mund të paguajnë çmimin e tregut. Zhvillimin e lagjeve adekuate që ofrojnë kushte, rindërtimin dhe rinovimin për ata që jetojnë nën normat minimale të banimit. Dhe banimi i përballueshëm që ofron banim të përballueshëm për çiftet e reja dhe individët me të ardhura të ulëta. Pas thirrjeve që i kemi bërë për komunat dhe kemi identifikuar lokacionet në 13 komuna dhe për komunat që nuk kanë aplikuar thirrje do tu bëhet në mes të shkurtit”, ka thënë Aliu.

Deputetja Pacolli ka kërkuar që të shmangen afatet e përcaktuara për shqyrtim të këtij projektligji dhe që komisioni funksional më së largu deri në orën 16:30 t’ia përcjell Kuvendit raportin me amandamente.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni