Zyrtarja e lartë e statistikave sociale në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, Mirvete Fazliu, është deklaruar rreth publikimit të fundit të statistikave të mirëqenies sociale, i cili përmban të dhënat për skemën sociale dhe pensionet.
E ftuar në emisionin “SOT” të KTV-së, Fazliu ka bërë të ditur se të dhënat e publikuara tani, tregojnë një rritje të numrit të familjeve që marrin ndihma sociale.
Duke bërë një krahasim midis viteve 2020-2021, Fazliu njoftoi se mbi 200 familje janë shtuar në këtë listë, ndërsa komuna që prin me më së shumti raste në të dy vitet është Mitrovica.
“Agjencia e Statistikave ka bërë publikimin e statistikave të mirëqenies sociale, ky publikim është kuartal. Burim i të dhënave të publikuara është Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Përmban të dhëna për skemën sociale dhe pensionet. Krahasimin mund ta bëjmë të vitit të kaluar me këtë vit. Në vitin 2020, kemi pasur 25,679 familje, numri më i madh i këtyre familjeve ishte në komunën e Mitrovicës, 2,392 apo 9.3 për qind e numrit të përgjithshëm. Krahasuar me këtë vit, kemi pasur një rritje të numrit të familjeve 25,895 familje, numri më i madh po ashtu ishte në komunën e Mitrovicës, me gjithsej 2,360 familje, apo 9,1 për qind e numrit të përgjithshëm”, ka thënë ajo.
Fazliu është deklaruar edhe sa i përket pensioneve të veteranëve, dhe të personave me aftësi të kufizuara, e që në të dyja rastet numri ka shënuar ulje.
Një përgjysmim i numrit është regjistruar edhe rastet e fëmijëve të braktisur, ku në vitin 2020 ishin regjistruar 28, ndërsa në vitin 2021, gjithsej 15.
“Sa i përket veteranëve, në vitin 2021 kemi pasur 36,804 veteranë ndërsa në vitin 2020 kemi pasur 38,216 veteranë. Këtu është zvogëluar numri. Numri i fëmijëve të braktisur për vitin 2020, 28 fëmijë janë braktisur, ndërsa në vitin 2021, 15 fëmijë janë braktisur, në këtë rast kemi një zvogëlim të numrit të fëmijëve të braktisur. Pensionet e personave me aftësitë e kufizuara, në vitin 2021 kanë qenë 18,903, ndërsa në vitin 2020 kemi pasur 19,266 fëmijë të personave me aftësi të kufizuara”, ka thënë Fazliu.