Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka deklaruar se shumë shpejt Qeveria e Kosovës do t’i kompensojë financiarisht dëmet e vërshimeve të fundit në komunat e prekura.
Këto komente ai i bëri pas takimit që kryeministri Albin Kurti së bashku me kabinetin qeveritar zhvilloi me kryetarët e komunave të Kosovës.
Sipas Pecit, tashmë për dëmet e shkaktuara nga vërshimet në komunat Mitrovicë, Skenderaj dhe Klinë është hartuar edhe një raport final.
“Nga shtatori i vitit të kaluar qeveria ka marr vendim për themelimin e një sekretariati që funksionin brenda MPB-së, ndërsa ne si ministri të linjës kemi nga 1 anëtar, tash e tutje të gjitha dëmet dhe veprimtaritë do të realizohen përmes këtij sekretariati e ne kemi informacione që tashmë ekziston një raport final dhe ai i është dërguar ministrit të Financave dhe pritet që në njërën nga mbledhjet e radhës të qeverisë që të kompensohen”, është shprehur Peci. /KP/